Franca, gropa financiare 14 MLD euro

28/05/2014 00:00

Qeveria franceze përballet me një “gropë të zezë” prej 14 miliardë eurosh në financat e saj publike, pasi kishte mbivlerësuar të ardhurat nga taksat për vitin e fundit financiar.

Presidenti francez Francois Hollande rriti të ardhurat nga taksat, nga TVSH-ja dhe ato të korporatave që kur u zgjodh në krye të shtetit dy vjet më parë.

Gjykata e Auditimit deklaroi se të ardhurat nga të treja taksat arritën në 16 miliardë euro në 2013. Kjo ishte ishte vetëm pak më e lartë se gjysma e parashikimit të qeverisë, prej 30 miliardë eurosh të ardhura shtesë.

Gjykata e Auditimit, që mbikëqyr financat e qeverisë, deklaroi se parashikimet e pallatit Elize për të ardhurat nga taksat në vitin 2013 ishin hartuar në mënyrë aq të gabuar, saqë tani vënë në dyshim edhe parashikimet për këtë vit.

Gjykata, sipas raportimeve të mediave evropiane, shton se parashikimet ishin më optimiste se ç’duhej dhe të bazuara në projeksione të pakujdesshme.

Shifrat vijnë një javë pasi kryeministri Manuel Valls, që u caktua në detyrë në mars pas performancës së dobët të socialistëve të Hollande në zgjedhjet lokale, kritikoi politikën e taksave të presidentit duke thënë se, “shumë taksa i vrasin taksat”.

Sondazhet e nxjerrin mbështetjen për politikat e presidentit Hollande nën kuotën 20 për qind dhe kritikët thonë se pikërisht politika e taksave ka dëmtuar shanset e Francës për të arritur një rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme.

Pavarësisht se u zgjodh në një moment kur ndjenjat e popullit ndaj masave anti-krizë kishin arritur kulmin, Hollande implementoi një seri shkurtimesh të shpenzimeve shoqëruar nga një sërë rritjesh të taksave.

Top Channel