Në pamje të parë mund të duket një krevat i thjeshtë, madje akoma më keq, i lënë çrregullt nga personi apo personat që kanë fjetur mbi të.

Por bëhet fjalë për një vepër arti të artistes Tracey Emin e titulluar “My Bed”. Çrregullsia e krevatit plotësohet me bishtat e cigareve të fikura në një tavëll të stërmbushur, disa prej tyre të lëna përgjysmë, të brendshme të hedhura shkujdesur, shishe alkooli të boshatisura, gazeta, revista e madje edhe rezultate testesh shtatzënie.

E gjithë “kjo rrëmujë” kushton të paktën 1 milion euro. Të paktën kjo është shifra minimale e vendosur nga shtëpia e famshme e ankandeve, “Christie’s”.

“Kam marrë gjithcka kam gjetur në dhomën time të gjumit dhe ndërtova një strukturë që kur vendoset në një dhoma krejtësisht të bardhë krijon një efekt të vecantë për disa persona”, thotë autorja e veprës, Tracey Emin.

Vepra u shfaq për herë të parë në vitin 1999 në Galerinë Tate në Londër duke u rënditur mes tre finalisteve për cmimin prestigjioz Turner. Pas këtij konkursi ajo u ble nga miliarderi Charles Saatchi që e vendosi për publikun nëpër muze të ndryshëm botërorë.

Me nismën për ta shitur këtë vepër, synohet mbulimi i shpenzimeve për të garantuar hyrjen falas për vizitorët në Galerinë Saatchi në Londër, njofton shtëpia e ankandeve “Christie’s”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel