Diplomati shqiptar Petrit Bushati ka nisur zyrtarisht detyrën e tij të re si ambasador i Shqipërisë në Maqedoni. Bushati të enjten i dorëzoi letrat kredenciale presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov.

Pas takimit që zgjati për më tepër se një orë, diplomati shqiptar tha se, presidentit maqedonas i ka përcjellë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Zoti Bushati i ka thënë presidentit Ivanov, se forcimi i raporteve mes dy vendeve varet edhe nga pozita e shqiptarëve të Maqedonisë dhe e ka inkurajuar atë, në emër të shtetit shqiptar, që të angazhohet për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“I shpreha presidentit besimin e madh dhe bindjen që ka Republika e Shqipërisë, se me kapacitetin e tij si simbol i unitetit të Maqedonisë do të angazhohet edhe më tej, për të çuar më përpara dhe për të arritur progres të mëtejshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është një marrëveshje që garanton zhvillimin e njëllojshëm, harmonik dhe pa probleme të gjithë subjekteve dhe njerëzve në Maqedoni dhe në mënyrë të veçantë të popullsisë shqiptare, e cila është edhe një urë shumë e rëndësishme lidhëse për zhvillimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë”, deklaroi Bushati.

Bushati dhe Ivanov kanë rënë dakord se në raportet mes dy vendeve prioritet duhet t’i jepet edhe infrastrukturës, por edhe projektit për hekurudhën që duhet të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë.

Ivanov i ka thënë ambasadorit shqiptar, se raportet e mira dhe bashkëpunimi me Shqipërinë janë prioritet i Maqedonisë dhe se Shkupi është i gatshëm për realizimin e projekteve të përbashkëta.

Diplomati Petrit Bushati, vjen në Maqedoni në vend të ish-ambasadorit Arben Çejku, të cilit i përfundoi mandati në mars të vitit të kaluar. Bushati më parë ka qenë ambasador i Shqipërisë në Suedi, SHBA dhe Serbi.

Top Channel