Kryeministri grek Andonis Samaras ka deklaruar se vetëm zhvillimi ekonomik do të sjellë stabilitetin politik që i nevojitet jo vetëm Greqisë, por edhe vendeve të tjera të BE-së, pasi rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian kanë reflektuar pakënaqësinë e votuesve në të gjithë unionin.

Deklarata e tij është bërë sapo ai është kthyer nga Brukseli, në një takim me presidentin e vendit Karolos Papulias në kuadrin e spekulimeve që qarkullojnë në Greqi për një reformatim të mundshëm të qeverisë së koalicionit, për të cilën grekët shprehën pakënaqësinë me votën e tyre në zgjedhjet europarlamentare.

“Çelësi për ta dhe për ne është stabiliteti politik, kjo është rruga dhe ne si qeveri jemi të angazhuar për këtë rrugë deri ne fund. Ka disa hapa që ende duhet të bëhen dhe do t’i bëjmë ato për t’i dhënë fund makthit, situatës së vështirë dhe të dhimbshme që populli grek ka përjetuar”, deklaroi Samaras.

Dy ditë më parë kreu i opozitës greke, Aleksis Tsipras, që kishte takuar edhe ai presidentin grek, kishte kërkuar dorëheqjen e qeverisë pasi sipas tij, rezulatati i zgjedhjeve nuk e bën atë legjitime për të marrë vendime.

“Duhet që në mënyrë të organizuar dhe normalitet të plotë të shkohet në zgjedhje parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi Tsipras. Gjithashtu, Tsipras, që ka bërë një hapje të madhe në orët e fundit ndaj industrialistëve të vendit, paralajmëroi kryeministrin Samaras që tani e tutje të mos marrë asnjë vendim që ka ta bëjë me të ardhmen e vendit pa miratimin e opozitës.

Pas fitores me 3.9% të votave të Radikalëve të Majtë, Samaras, i ndodhur në vështirësi, kërkon një strategji të re për të zbutur pakënaqësinë e grekëve të shkaktuar nga masat e rrepta të kursimit, pasi ndjen se nuk mund të përfundojë reformat antipopullore të imponuara nga BE dhe FMN, në mënyrë që të shmangë zgjedhjet e parakohshme.

Ndërsa pritet një reformatim i qeverisë në ditët në vijim, sytë e të gjithëve janë mbi ministrin e Financave nëse do të qëndrojë në postin e tanishëm, ndërsa ai vetë ka përgënjeshtruar zërat për largimin e tij.

Top Channel