Shumë shpejt, gjuha nuk do të përbëjë më pengesë për komunikimin ndërkombëtar në internet, falë një programi të ri kompjuterik, që mundëson përkthimin në kohë reale të bisedave të njerëzve, që flasin në gjuhë të ndryshme.

Me aplikacionin e ri “Skype Translator”, gjiganti amerikan i programeve kompjuterike, “Microsoft”, pretendon të rrëzojë barrierat e gjuhës dhe, në demonstrimin e bërë gjatë një konference të industrisë së teknologjisë informative në Kaliforni, u arrit të përkthehej në mënyrë të përkryer biseda mes një anglishtfolësi dhe një personi që fliste gjermanisht.

“Skype Translator” i lejon përdoruesit të komunikojnë në video me njëri-tjetrin, duke përzgjedhur gjuhën e dëshiruar. Fjalët përkthehen paskësaj në gjuhën e preferuar nga marrësi.

Sistemi dëgjon fjalët e dërguesit dhe përpiqet t’i përshtasë ato menjëherë; është parashikuar që në rast se zëri automatik nuk arrin të bëjë shqiptimin siç duhet, apo kalon shumë shpejt, në ekran përkthimi shfaqet edhe si tekst.

Programi i ri është rezultat i më shumë se një dekade zhvillimi të teknologjisë për kuptimin e fjalëve dhe përkthimet automatike nga inxhinierët e “Microsoft”.

Kompania këmbëngul se ai do të krijojë mundësi të mëdha për një komunikim më të mirë në fushën e arsimit, diplomacisë apo edhe  marrëdhënieve personale.

“Skype Translator”, sipas VOA-s, do të jetë në dispozicion para fundit të këtij viti, për kompjuterët e pajisur me sistemin operativ “Ëindoës 8”. Shërbimi i komunikimit me Skype është pa pagesë në shumicën e vendeve të botës dhe mundëson më shumë se 300 milionë lidhje në muaj.

Top Channel