Fondi Monetar Ndërkombëtar është gati të dyfishojë financimet për Bosnje-Hercegovinën, bazuar mbi marrëveshjen në pritje të kredisë, për ta ndihmuar vendin të përballojë pasojat e përmbytjeve më të mëdha në historinë e vendit, bëri të ditur një zyrtar i FMN-së gjatë së premtes.

Përfaqësues të organizmit huadhënës përfunduan një vizitë 10-ditore në Bosnje të premten, për të diskutuar mbi disbursimet e mëtejshme të marrëveshjes së ngecur prej 380 milionë eurosh, që ishte ngrirë gjatë muajit Shkurt për shkak se reformat ekonomike nuk kishin vazhduar, ashtu si dhe mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet masive të javëve të fundit.

“Kemi arritur një marrëveshje me autoritetet, mbi një set politikash që do të na lejojnë ne të kompletojmë rishikimet e kombinuara të gjashta dhe të shtata të marrëveshjes”, tha Ron van Rooden, kreu i misionit të FMN-së që vizitoi vendin, për “Reuters”.

Misioni do të propozojë muajin e ardhshëm që Bordi Ekzekutiv i FMN-së të rrisë financimet për Bosnje-Hercegovinën nga shuma e planifikuar fillimisht prej 95 milionë eurosh, në një total prej 190 milionë eurosh, tha Van Rooden.

Ai pret nga Parlamenti kombëtar që të kalojë disa ligje të nevojshme gjatë javës së ardhshme, që do t’i lejonin FMN-së të “shkrijë” marrëveshjen e saj të huadhënies. “Çdo gjë është në vijë dhe pritet të implementohet, nuk presim të hasim ndonjë vështirësi madhore”.

“Duke parë fatkeqësinë natyrore që ndodhi, si dhe impaktin që do të ketë, padyshim, në ekonominë e këtij vendi dhe në financat e qeverisë, atëherë ne do të ndihmojmë qeverinë për të siguruar vazhdimësinë e funksioneve të saj, duke e ndihmuar atë me financime të reja shtesë”, tha Van Rooden.

Ai tha se FMN do të ulte parashikimet për rritjen ekonomike të Bosnjes me rreth 0,5% nga ai 2% që ishte fillimisht, si dhe do të rishikojë substancialisht objektivin për deficitin fiskal në 2% të GDP-së, pas marrëveshjes së huazimit.

Top Channel