Prokuroria publike ka kërkuar nga gjykata, të premten, dënim maksimal për personat e akuzuar për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, që ndodhi dy vite më parë, në afërsi të Shkupit.

Në fjalën e fundit para gjykatës, prokurorja Gordana Geshkovska, për herë të parë foli edhe për motivet e vrasjes, që – sipas saj – kanë të bëjnë me fenë dhe kombësinë e viktimave.

Geshkovska tha se qëllimi i vrasjes makabre ka qenë, që të shkaktohet frikë dhe pasiguri te qytetarët maqedonas, duke u dërguar porosi se do të shkatërrohet feja e tyre dhe do të vritet ardhmëria e shtetit.

Por, sipas avokatit Naser Raufi, që mbron të akuzuarit, fjalët e prokurores nuk kanë asnjë lidhje me rastin. Raufi tha se, në mungesë të provave, Prokuroria publike po keqpërdor fenë dhe kombin e viktimave dhe të akuzuarve.

Në bazë të fjalës së fundit të prokurores para gjykatës, avokati mbrojtës pret një vendim të padrejtë për të akuzuarit, për të cilët është i bindur se janë të pafajshëm.

“Sipas fjalës përfundimtare të Prokurorisë, them se përgatitet një padrejtësi dhe jam i dëshpëruar nga njëra anë, pasi ne nuk kishim përpara nesh analizën e provave, as materiale e as verbale, që është puna primare. Kjo analizë mungoi, pasi nuk ka prova materiale e as verbale. Arsyeja është shumë e thjesht, pasi këta nuk janë vepruesit e këtij delikti, nuk janë këta të akuzuar, që kanë kryer këtë krim”, tha Naser Raufi, avokati i të akuzuarve në rastin “Monstra”.

Vendimi përfundimtar për të akuzuarit e rastit “Monstra” pritet të merret nga mesi i muajit të ardhshëm, ndërsa më 5 Qershor gjykatës do t’i drejtohet pala mbrojtëse. Për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, që ndodhi dy vite më parë, akuzohen gjashtë persona, dy prej të cilëve ndodhen në burg në Kosovë.

Top Channel