Babai vrasës: Mbrojta nderin. S’pendohem për krimin

30/05/2014 00:00

Babai që qëlloi me tetë plumba vajzën e tij 21-vjeçare, Fatmirën, Doksan Dushku deklaroi se kishte kryer aktin “për të mbrojtur nderin” dhe se nuk ishte i penduar për atë që kishte bërë.

Ngjarja ndodhi mesnatën e së martës në fshatin Sllatinë të Komunës Sllovë në rrethin e Dibrës. Fillimisht krimi është munduar të fshihet duke u njoftuar si vdekje aksidentale, por uniformat blu kishin marrë sinjale për dicka të pazakontë dhe ndërprenë ceremoninë e varrosjes së 21-vjeçares, Fatmira Dushku për kryerjen e autopsisë.

Mjekësia ligjore gjeti tetë plagë plumbash në trupin e të resë e cila ishte edhe shtatzënë në muajin e pestë. Kjo ka qenë edhe arsyeja e krimit të kryer nga 69-vjeçari Dushku, i shoqëruar 24 orë më pas në komisariat së bashku me djemtë e tij.

Gjatë marrjes në pyetje, babai vrasës ka marrë përsipër gjithë krimin duke shfajësuar djemtë e tij. Ai ka thënë se e ka vrarë vajzën e tij për të mbrojtur nderin, madje nuk ka shprehur as pendesë për aktin e kryer.

Nga Komisariati i Dibrës të dhënat e bëra publike janë të pakta. Dyshohet që 21-vjeçarja që jetonte me të atin dhe tre vëllezërit, pasi e ema i kishte vdekur, kishte një lidhje me një person nga i njëjti fshat. Identiteti i personit nuk bëhet publik nga uniformat blu.

Top Channel