
I ngritur nga mazhoranca për të mohuar akuzat e demokratëve se aeroporti ushtarak i Gjadrit është përdorur për trafik droge gjatë qeverisjes socialiste, komisioni hetimor i vlerësoi si të pabaza akuzat.
Duke iu referuar komunikimit mes insitucioneve pas shkresës së shërbimit sekret, kryetarja e komisionit hetimor, Ermonela Felaj citoi shkresa të muajit prill nga policia dhe nga ushtria, që hedhin poshtë si të pabazuara informacionet e shërbimit sekret dhe akuzat e Partisë Demokratike për një avion sportiv të ulur në Gjadër më 19 mars të këtij viti.
“Është këqyrur pista e aerodromit gjatë gjithë gjatësisë së saj më 19 mars dhe është parë se në të nuk kishte gjurmë të fërkimit të rrotave në pistë, gjë që ndodh gjatë uljes së avionëve. Gjetjet e këtij komisioni hedhin poshtë akuzat për trafik droge nga Forcat e Armatosura dhe infrastrukturat e tyre pas 15 shtatorit 2013”, deklaroi Felaj.
Por ky nuk është fundi i historisë. Sipas komisionit hetimor socialist, në Gjadër janë ulur avionë sportivë dhe aeroporti është përdorur për trafik droge, por kjo ka ndodhur në kohën e mandatit të dytë qeverisës të Partisë Demokratike.
“Trafiku i drogës në rrugë ajrore është organizuar e fshehur në mënyra të ndryshme nga ish-strukturat e Forcave të Armatosura, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Aviacionit Civil”, nënvizoi Felaj.
Kjo akuzë, edhe më e rëndë sesa ajo e Partisë Demokratike, mbështetet kryesisht në deklaratën e një dëshmitari me gradë nënoficer, me inicialet S.Gj. Kjo dëshmi që citon kryetarja e komisionit hetimor është depozituar pranë policisë ushtarake në tetor 2013 dhe tregon dinamikën e ngjarjes, pasi dëshmitari ka njoftuar eprorët.
“Komandanti i truprojës, me iniciale E.M. dhe një roje me të njëjtat iniciale kanë shkuar në aerodrom me motoçikletë, kanë gjetur avionin, kanë parë 5 vetë që po e mbushnin me karburant dhe pako të mbështjella me natribant. Publiku e ka të qartë çfarë paketohet kështu, vetëm lënda narkotike”, saktësoi Felaj.
Dëshmitari që citon kryetarja e komisionit hetimor tregon se ulja në Gjadër ka qenë e përsëritur gjatë tetorit 2012 dhe se ai ka kominikuar me ta, duke marrë të njëjtën përgjigje, se ishin të shërbimit sekret në stërvitje për luftën kundër drogës.
Kryetarja socialiste e komisionit thotë se, nëse do të ishin pjesë e stërvitjes të kujtdo shërbimi qoftë, veprimtaria e tyre do të ishte e shënuar në rregjistrat përkatës, siç është shënuar një provë private për ndezjen e motorit të një avioni sportiv në tetor 2013 dhe një stërvitje po e kësaj kohe e forcave amerikane.
Zonja Felaj thotë se nuk gjenden të tilla evidenca, sepse në Gjadër mungon dokumentacioni përkatës për përiudhën korrik-shtator 2012 dhe disa ditë në shkurt 2013.
“Janë zhdukur të gjitha shënimet për hyrjet, daljet, lëvizjet e trupave, mjeteve dhe uljet e ngritjet e avionëve në Gjadër. Zhdukja në mënyrë të qëllimshme të dokumentacionit çon në dyshimin e bazuar se në aerodromin e Gjadrit zhvilloheshin aktivitete të paligjshme”, theksoi Felaj.
Mazhoranca në komisionin hetimor ka arritur në përfundimin se edhe shkurtimi i personelit në Gjadër në qershor 2010 ka lidhje me narkotrafikun në rrugë ajrore, duke bërë përgjegjëse për këtë qeverinë e atëhershme të kryeministrit Berisha.
“Gjashtëmujori i dytë i 2012 përkonte me periudhën kur në mënyrë të përsëritur janë parë avionë që ngarkoheshin drogë. Transporti i narkotikëve gjatë kohës së qeverisë së mëparshme ka ndodhur pikërisht sepse ajo qeveri, me dashje ka lejuar mungesën e kontrollit në bazat ajrore ustharake”, bëri të ditur deputetja e PS.
Por ky nuk është ende fundi. Komisioni hetimor ka bërë pjesë të raportit të tij importimin e dy avionëve sportivë në vitin 2009 dhe përdorimin e njërit prej tyre në hapësirën ajrore shqiptare pa u regjistruar askund.
“Rezulton që për të paktën një prej avionëve sportivë të sjellë në Shqipëri në 2009 nuk ka asnjë informacion në bazën e të dhënave të aerodromit. Ndërsa në gazetë dhe rrjetet sociale, shoqëruar me foto, shkruhet se ky avion ka fluturuar deri në vitin 2012, në Gjadër e Divjakë. Këto janë pohime që i bën vetë njeriu që ka pilotuar këtë avion”, shtoi Felaj.
Opozita nuk merr pjesë në këtë komision që prej ngecjes së avionit në Divjakë, por kjo nuk e pengoi mazhorancën të miratonte raportin përfundimtar të komisionit hetimor dhe të dërgojë në prokurori të gjitha të dhënat që disponon.
Hetimi i drogës, reagon PD
“Hetimi i Felajt, dëshmi e rënies së kryeministrit Rama”
Partia Demokratike ka reaguar ndaj rezultateve të hetimit parlamentar mbi trafikun e drogës, të publikuara paraditen e së shtunës nga deputetja Ermonela Felaj.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi ironizoi rezultatet dhe i cilësoi ato një rënie të qeverisë Rama.
“Kryeministri Rama ia doli me sukses të bëhej qesharak në sytë e opinionit publik, duke e shndërruar komisionin hetimor parlamentar në një barcaletë për shtyp.
Ku i keni mushkonjat zoti Rama, që Felaj zbuloi se ishin avionë? Ku janë guralecët që nuk lejonin mushkonjat të uleshin në Gjadër? Kush ra më parë, piloti, avioni, rrota apo fraksioni?
Në të vërtetë është rrëzuar kryeministri. PD përsërit kërkesën se vetëm një hetim serioz do të nxjerrë para përgjegjësit dhe do të evitojë këtë dramë për vendin tonë”, deklaroi Vorpsi.
Top Channel