Hiri vullkanik pushton Australinë

31/05/2014 00:00

Re të mëdha hiri të shkaktuara nga një vullkan indonezian kanë detyruar linjat ajrore në Darvin të Australisë që të anulojnë fluturimet.

Mali Sangean Api nisi të nxirrte retë e hirit të premten, të cilat më pas janë përhapur në jug të Indonezisë, duke shkuar drejt qytetit verior të Australisë.

Kompanitë Qantas, Jetstar dhe Virgin Australia kanë anuluar fluturimet. Shërbimet e transportit mes këtij vendi dhe ishullit indonezian të Balit janë pezulluar gjithashtu.

Edhe disa fluturime mes qytetit të Perthit dhe Balit janë anuluar ditën e shtunë. Autoritetet deklarojnë se aeroporte të tjera mund të bëhen subjekt i të njëjtave masa në orët në vazhdim.

Qindra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar dhe rrezikojnë të mbeten pezull, pasi shpërthimi i hirit vullkanik pritet të zgjasë të paktën deri të dielën.

Hiri vullkanik mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm ndaj mjeteve ajrore pasi sipas specialistëve copëzat e tij mund të dëmtojnë motorët.

Aktualisht retë e hirit janë duke lëvizur drejt lokalitetit Alice Springs, bëjnë të ditur autoritetet australiane. Zv/kryeministri Warren Truss deklaroi se mund të duhen ditë që shërbimi ajror australin të kthehet në normalitet.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel