Këshilla për të mos u shëndoshur për shkak të stresit

02/06/2014 00:00

Stresi është një realitet që ndikon pothuajse në çdo ditë të jetës sonë të mbingarkuar! Ndonjëherë kur bëhet kronik, është normale që trupi ynë të fillojë të vuajë nga ndryshimet: ngrihen nivelet e kortizolit dhe të insulinës dhe për pasojë shfaqet edhe uria jo e nevojshme. Normalisht, kështu fillojnë zakonet e këqija të cilat çojnë në vënien e kileve të tepërta, një gjendje e cila duhet kontrolluar me patjetër. Më poshtë do t’ju shpjegojmë se si.

Organizmi ynë aktivizon te ne nevojën për marrjen e disa ushqimeve, pavarësisht se nuk kemi nevojë për t’u ushqyer. Megjithatë, duhet të theksojmë se jo të gjithë shëndoshen kur janë të stresuar. Në fakt, disa persona dobësohen.

Përse shëndoshemi kur jemi të stresuar?

Stresi është një sinjal i trupit i cili njofton se diçka përreth nesh nuk shkon mirë, ndërsa paraqet një kërcënim serioz. Trupi detyrohet në një farë mënyrë që t’i japë përgjigje një situate të tillë; çdo ditë, kjo ndjesi rreziku nga stresi nuk lidhet me shqetësime fizike, por psikologjike: një problem familjar, personal ose një shqetësim nga puna. Stresi, mbi të gjitha provokon ndryshime të dukshme në organizmin tonë dhe rritja në peshë është njëra prej tyre. Konkretisht, sipërfaqja e veshkave stimulohet duke prodhuar hormone kortizoli. Ky hormon (kortizoli) nxjerr yndyra dhe sheqerna nga indi dhjamor dhe më pas i çliron ato në gjak. Ndërkaq, aktiviteti bazik në sistemin nervor simpatik rritet, sidomos tek ata që vuajnë nga diabeti, duke shkaktuar obezitet në situata stresi. Ndaj mos u ndikoni nga stresi, duke përdorur shumë vakte që ju “ngushëllojnë”, por ndiqni një dietë të rregullt. Nuk është e thënë që duhet të hani vetëm tri vakte në ditë. Pas një dite të lodhshme dhe stresuese, trupi ka nevojë për energji. Lëngjet, vitaminat, disa ëmbëlsira mund t’ju bëjnë të ndiheni më energjikë. Për të mbajtur trupin dhe mendjen të freskët, gjatë viteve të pleqërisë duhet të ndiqni sa më shpejt që të jetë e mundur një stil jete të përshtatshëm për të ruajtur aftësitë e trupit, për të nxitur trurin dhe për të ruajtur funksionet e mendjes. Për këtë është i këshillueshëm si aktiviteti fizik, ashtu edhe ai mendor: meditimi, bisedat e qeta, shëtitjet etj.

Ushqimet efektive në luftën kundër lodhjes dhe stresit

Ndiheni nën presion, për shkak të stresit dhe nervozizmit? Mendoni se “thika ka arritur në palcë” dhe ju nuk mbani më? Do të ishte mirë të ruanit qetësinë dhe ta ndihmonit veten duke ngrënë ushqime të shijshme e të shëndetshme. Nga një studim është vërtetuar se përmes ushqimit, njeriu mbrohet nga mënyrat e gabuara të jetesës dhe situatat tepër stresuese. Ja se çfarë duhet të bëni:

-Hani disa herë në javë prodhime deti (ton, salmon, të gjitha llojet e peshkut) të pasur me fosfor dhe omega 3. Nëpërmjet këtyre ushqimeve ju do të merrni këto vitamina: B5, B9, B12 efektive kundër nervozizmit dhe stresit.

-Mos harroni drithërat dhe bukën, ushqim kryesor i qelizave të trurit, me përmbajtje të vitaminës B që ndihmon në luftën kundër stresit.

-Fruta të thata: rrush, kajsi, fiq. Ato janë të pasura me fibra dhe karbohidrate komplekse, të cilat luftojnë në mënyrë efektive kundër stresit.

-Çokollata është një ushqim antistres. Në sajë të përmbajtjes së lartë të magnezit, ajo siguron një ekuilibër të mirë nervor.

-Mjalti lufton stresin gjithashtu. Ai siguron energji dhe vitalitet. Ai është një produkt natyror i njohur për efektivitetin e tij në pagjumësi, lodhje nervore dhe stres.

Gazeta ‘Shqip’
 

Top Channel