Avioni me panele diellore kryen fluturimin inaugurues

02/06/2014 00:00

Një aeroplan, të cilit i mundësohet fluturimi prej paneleve diellore, e që do të kryejë një udhëtim përreth Tokës në vitin 2015, ka bërë tashmë fluturimin e parë inaugurues.

Mjeti “Solar Impulse 2” u ngrit nga baza ajrore Payerne në Zvicër, rreth orës 05:35 të mëngjesit, duke u kthyer më pas për t’u ulur rreth 2 orë më vonë.

Ky është një version më i madh dhe i përmirësuar, i avionit që fluturoi anembanë Amerikës vitin e kaluar, me në krye aventurierët Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg. Ndërsa për fluturimin testues, piloti i avionit ishte Markus Scherdel.

Ai u ngjit deri në 1800 metra nga sipërfaqja e Tokës, duke kryer një numër manovrash për të provuar reagimin e avionit. Scherdel raportoi për disa të dridhura në momentet e para, por përgjithësisht misioni rezultoi i suksesshëm.

“Rezultatet fillestare janë në përputhje me llogaritjet dhe simulimet e bëra”, lexohej në një deklaratë të mëvonshme të ekipit të avionit. Fluturime të tjera do të zhvillohen në muajt e ardhshëm, në mënyrë që mjeti eksperimental të marrë çertifikimin.

Top Channel