Siri, përshkallëzohen luftimet në Aleppo

02/06/2014 00:00

Lëshimi i raketave nga rebelët në Siri, drejt zonave të kontrolluara prej forcave qeveritare në Aleppo, ka shkaktuar 50 viktima gjatë fundjavës, ka bërë të ditur grupi monitorues gjatë së hënës, në prag të zgjedhjeve presidenciale, në të cilat rebelët kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë sulmet ndaj objektivave qeveritare.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se mes viktimave të sulmeve të rebelëve islamikë janë edhe 9 fëmijë.

13 viktima të tjerë janë shkaktuar përgjatë natës, kur forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad hodhën katër fuçi-bomba nga helikopterët nëpër zonat e kontrolluara prej rebelëve në të njëjtin qytet, duke shkaktuar edhe dëme të mëdha, bëri të ditur observatori me seli në Britani.

Luftimet në Aleppo, një qytet qendër e tregtisë përpara nisjes së konfliktit afro 3-vjeçar, janë përshkallëzuar gjatë javëve të fundit, pasi forcat e Assad-it kanë konsoliduar kontrollin e tyre në qendër të Sirisë, ndërkohë që së fundi edhe rebelët e fundit janë tërhequr nga qendra e qytetit të Homs-it.

Top Channel