Francë, arrestohen 4 xhihadistë sirianë

02/06/2014 00:00

Katër persona janë arrestuar në Paris dhe në jug të Francës, nën dyshimin se rekrutonin militantë për të luftuar në Siri. Operacionet e policisë erdhën një ditë pasi rezultoi se një shtetas francez ishte ndaluar nga policia që hetonte vrasjen e tre personave në muzeun hebre të Brukselit.

Mehdi Nemmouche, 29 vjeç, u arrestua të premten në një stacion të qytetit të Marsejës. Prokurorët deklarojnë se ai ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin dhe ka kaluar më shumë se një vit në Siri.

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazaneuve tha për një radio lokale të hënën se, “ka persona që rekrutojnë xhihadistë dhe teksa unë po flas po arrestohen disa prej tyre”. “Ne po veprojmë kudo dhe nuk do të ketë pushim në luftën kundër terroristëve”, deklaroi ministri.

Për momentin nuk ka të dhëna që sugjerojnë lidhje mes katër arrestimeve të kryera të hënën dhe arrestimit të Nemmouche, që erdhi gjatë një kontrolli rutinë në një autobus në ardhje nga Amstërdami, ditën e premte në jug të Francës.

Por personi në fjalë thuhet se ka pasur lidhje me islamikët radikalë dhe ka kryer pesë vite burg në Francë për vjedhje, përpara se të lirohej në dhjetor 2012.

Në momentin e arrestimit ai kishte me vete një automatik të tipit Kallashnikov dhe një pistoletë, armë që dyshohet të jenë përdorur në sulmin e Brukselit, deklaroi një prokuror nga Parisi.

Gjithashtu, thuhet se ai kishte me vete një çarçaf të bardhë me shkrimin Shteti Islamik i Irakut dhe Levant, një grup xhihadist që lufton në Siri, si dhe një kamera me një video 40-sekondësh, ku tregohen armë dhe dëgjohet zëri i tij që merr përsipër përgjegjësinë për tre vrasjet.

Top Channel