Ata u njohën me njëri-tjetrin 40 vite më parë. Shumë prej tyre erdhën në Tiranë nga rrethe të ndryshme të vendit, për të qenë pjesë e shkollës “Skënderbej”, shkollës ushtarake aq të njohur të asaj periudhe.

U deshën katër vite, që shoqëria e tyre të shndërrohej në një miqësi të fortë dhe të vërtetë, duke rezistuar edhe sot, me po të njëjtat doza sinqeriteti dhe vërtetësie.

Takimi në Tiranë, pas kaq shumë vitesh, i ka emocionuar të gjithë. Fatmiri ka qenë ideatori dhe organizatori i ribashkimit.

“Jemi mbledhur pak a shumë gjysma e grupit, nëpërmjet Facebook-ut apo telefonave. Në ’78-n kemi mbaruar shkollën e mesme, janë gati 36 vjet që disa prej nesh nuk shihemi”.

Tashmë ata jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe disa prej tyre nuk kanë mundur të vijnë. Kjo është e vetmja arsye e mungesës.

“Ne jemi të shpërndarë dhe jemi shumë pak shokë që kemi ruajtur kontaktet dhe jemi takuar. Më në fund lindi kjo idea për të kontaktuar me të gjithë shokët, kudo janë, por nuk është realizuar, sepse s’kanë ardhur të gjithë se s’kanë dhe mundësi, plus që jemi të shpërndarë në botë. Pjesë më e madhe e jona ishim këtu në Shqipëri dhe dëshira e tyre që ta bënim këtu këtë takim”.

Dhe pas ritakimit në një prej kafeneve në kryeqytet, dita ka vijuar deri në mbrëmje, ku nostalgjia dhe kujtimet kanë zënë vend për shumë orë në bisedat e tyre.

Top Channel