91-vjeçari grek, heroi legjendar i Luftës së Dytë Botërore dhe një prej përfaqësuesve më të shquar të Radikalëve të Majtë, Manolis Glezos ka përqendruar numrin më të madh të votave në Greqi, në zgjedhjet për Parlamentin Europian të zhvilluara më datë 26 maj.

Në përfundim të numërimit, figura emblematike e së majtës greke ka siguruar numrin rekord prej të paktën 430.000 votash në favor të partisë Syriza që ai përfaqëson, duke u bërë njëkohësisht deputeti më i moshuar nga 751 deputetët e PE.

I njohur nga të gjithë si një prej dy të rinjve që në 30 maj 1941 hoqën flamurin gjerman nga shkëmbi i Akropolit, rezultati i tij ka shkaktuar reagime të shumta në shtypin vendas dhe atë të huaj.

“Është një turp absolut që sot, në shekullin e 21, një hero legjendar i rezistencës, i burgosur tri herë, së pari nga nazistët dhe më vonë nga junta ushtarake greke, që ka kaluar 11 vjet të jetës së tij pas hekurave të burgut dhe gati 5 vjet në internim, i rrahur dhe i sulmuar me kimikate edhe nga policia greke në protestat e vitit 2011, tani të ulet në Parlamentin Europian përkrah disa dhjetëra nacionalistëve, fashistëve dhe neonazistëve që mbështesin pikërisht atë ideologji të atyre njerëzve që kanë vrarë miliona të pafajshëm në gjithë kontinentin”, është një prej komenteve në mediat e huaja.

Si e tillë, fitorja elektorale e zotit Glezos konsiderohet si një testament për frymën e rezistencës që ende karakterizon grekët sot, pas një reçesioni pesëvjeçar që ka shkaktuar papunësi rekord dhe gati një të tretën e familjeve nën nivelin e varfërisë.

Pavarësisht se neonazistët e Agimit të Artë tani janë forca e tretë politike dhe faktit që koalicioni qeveritar i mbijetoi një katastrofe elektorale, dobësimi i mëtejshëm i partive në pushtet, Demokracisë së Re dhe PASOK-ut, ofron një dritë shprese për Radikalët e Majtë në Greqi, por dhe në BE, për një ndryshim të politikave të ashpra të kursimit.

Top Channel