Si na bëri bashkë Facebook-u?

03/06/2014 00:00

Kush tha se Facebook është rrjeti social i të rinjve? Këto zonja tregojnë të kundërtën.

Ato janë mike të vjetra dhe, disa syresh, relativisht të reja, por që qëndrojnë të lidhura me njëra-tjetrën përmes Facebook.

Margarita Lafe, ish-arsimtare, sot në pension, tregon se vitet nuk e kanë penguar aspak t’i qaset teknologjisë dhe internetit.

“Në ato vite që fillova të mësoja anglishten, fillova të mësoj edhe kompjuterin, se e kisha në shtëpi djalin dhe e pyesja për shumë gjëra. Pak gjëra më ka mësuar ai dhe të tjerat, me intuitë dhe me anglishten që përdoret në terminologji, përpiqesha t’i kuptoja”, tha Margarita.

Ndërsa për Fluturën, miken piktore të grupit, shtysa drejt Facebook ka qenë Kozeta, kryetarja e paligjëruar e rrjetit social të mikeve të saj.

“Kur u ktheva njëherë në Shqipëri, mikja ime Kozeta Zavalani me tha që duhej të hyja në Facebook, sepse aty shihemi me foto dhe do të komunikojmë, duke u bërë shkas për hapjen e adresës sime në Fb. Në filllim mu duk gjë kot, por me kalimin e kohës u bë një domosdoshmëri”, tha Flutura.

Me diferenca në moshë, por jo në shije dhe përshtatje ndaj të resë, këto zonja, jo vetëm zbaviten dhe ruajnë kontaktet përmes Facebook, por e përdorin atë edhe për interesa profesionale.

“Për shkak të Facebook kemi krijuar një lidhje më të afërt dhe kjo na mban në kontakt edhe për aktivitetet e njëra-tjetrës”, tha Teuta.

Për Margaritën, e cila e ka kryer ciklin e saj profesional, tashmë Facebook është një shok dhe mundësi e mirë për të mbushur kohën e lirë.

“E kam një mjet komunikimi të nevojshëm, jo thjesht për t’u lidhur me shoqet dhe për t’u përshëndetur, por informohem për çdo gjë. Është edhe një mjet i jashtëzakonshëm komunikimi me njerëzit, për më tepër që emigracioni i ndau ata. Unë s’kam njeri nga të mitë këtu, ashtu sikurse dhe shoqet që janë shpërndarë gjithandej. Kështu që, nëpërmjet Facebook, flas me to dhe marr vesh organizimet e fundit”, tha Margarita.

Ky rrjet virtual njerëzish, në globin mbarë, u shërben edhe grave për të nxitur vetëmotivimin dhe dëshirën për më shumë shoqëri.

“Një komunikim i jashtëzakonshëm, aty lexon gazetën, aty sheh shoqet e tua se ku janë dhe çfarë bëjnë. Të motivon dhe nuk të lë të biesh në rutinën e gjërave të përditshme dhe punëve të shtëpisë”, tha Flutura.

Ismet Balaj, 77-vjeçari i varur nga Facebook-u

Ai është 77 vjeç. Është një ndër njerëzit më aktivë, që i përket brezit të tij. Studion, hulumton, shkruan dhe boton libra voluminozë, por mbi të gjitha është një eksplorator i çmendur i internetit. Pa dyshim që nuk i mungojnë as llogaritë në Twitter dhe Facebook.

Liljana, bashkëshortja e tij, tregon se ky i fundit i merr një pjesë të madhe të ditës.

“Pjesën më të madhe të kohës, Ismeti e kalon duke lexuar ose në Facebook. E ndien si shplodhje, si argëtim, ka shumë shokë”.

Ismeti ka në llogarinë e tij të Facebook-ut plot 418 miq dhe shumë të tjerë, që janë në listë pritjeje. Gjithë kohën, ai është virtualisht me shokët e tij, që shtrihen nga Italia deri në Australi.

“I them ndonjëherë lëre internetin, hajde luajmë letra. Edhe ti shplodhesh pak, por edhe unë kaloj kohën. Më thotë prit sa të mbaroj edhe këtë, edhe atë, por nuk mbaron kurrë”, shprehet e shoqja.

Facebook është jeta e dytë e këtij zotërie të moshuar, por është dashuri aq e fortë, sa Liljana me mund përpiqet ta tërheqë prej kthetrave të tij në jetën reale.

“Ismeti ka shumë shokë nëpër botë, me të cilët ka punuar bashkë. Pjesën më të madhe është atje, duke komunikuar me ta, të cilët kanë emigruar për arsye të ndryshme. Edhe kur i them hajde të hash bukë, më thotë erdha, por pas 20 minutash vjen”.

Mëson dhe ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të eksploruar çdo gjë të re dhe, ndonjëherë, është i bindur se çdokush përreth tij, në të njëjtën moshë, është i aftë të bëjë të njëjtën gjë.

“Del, ikën në bibliotekë dhe ma lë mua ta përdor internetin. I duket çdo gjë shumë e lehtë, por nuk është për të gjithë ashtu”, deklaron e shoqja, Liljana.

Interneti, mundësia për të eksploruar dhe mësuar gjëra të reja, veçanërisht komunikimi virtual me njerëz, është një aktivitet që mban gjallë shpirtin e këtij njeriu të palodhur, për të kuptuar dhe përqafuar të renë.

“E përdor si shplodhje, se mësoj gjëra nga më interesantet, që nuk ma rëndojnë kujtesën. Marr informacione që nuk i kam njohur më parë, sepse s’kemi pasur mjete dhe as mundësi, por sot që janë krijuar mundësitë, do të vazhdojmë sa të kemi mundësi”, shprehet Ismeti.

Vezir Muharremaj: Interneti, deti ku më pëlqen të lundroj

Disa njerëz, zhvillimi teknologjik dhe interneti i ka kapur në moshë të vonë, duke i lënë jashtë mundësisë për t’u përfshirë në të. Por, jo në rastin e Vezir Muharremit, i cili është 70 vjeç dhe është shumë i varur pas internetit.

“Shtypi të harxhon kohë, kështu që unë përdor udhëtimin me autobus dhe me anë të celularit shfrytëzoj momentin për t’u njohur me shtypin. Lajme nga TCH dhe Gazeta Shqip, informohem gjatë kësaj kohe për ato informacione që më duhet t’i di, për të qenë në koherencë me situatën politiko-ekonomiko-kulturore të vendit”.

Inxhinier në profesion, Veziri nuk ka hequr ende dorë nga mësimdhënia në auditore. E këtu, interneti i vjen në ndihmë për hulumtime. Një prej gjetjeve të rralla në internet është kjo hartë, për të cilën është krenar që e zotëron.

“Kjo hartë tregon permbytjen ne shkoder në Dhjetor të 2010-s. Kërkova në google dhe hasa në këtë hartë, që është prodhim i një firme gjermane. Menjëherë e mora dhe ua tregova studentëve dhe e përfshiva edhe në librin tim. Kjo nuk eshte publikuar me pare. U dhanë atëherë sipërfaqe të tokave të përmbytura, por sa të sakta janë hektarët nuk i di kush, kjo hartë i nxjerr saktë këto gjëra”.

Profesori 70-vjeçar tregon me ngazëllim të madh për gjetjen në internet të kësaj pikture të artistit dhe poetit anglez Eduard Lear. Për Vezirin, peizazhi shqiptar i hedhur në telajo ka një vlerë të madhe artistike, por edhe profesionale, duke qenë se lidhet me degën e mësimdhënies së tij, që përfshin shkencat e tokës.

“Unë kam gjetur pikturën e Eduard Lear, një piktor peizazhi i shkëlqyer në Anglinë e viteve 1850 dhe pikërisht kjo pikturë është e malit të Tomorrit. Mirëpo ka një shpjegim shumë të bukur”.

Dhe fondi i galerisë nuk ka të sosur në këtë botë virtuale, që qarkullon edhe gjërat më të paimagjinueshme.

“Sërish nga Eduart Lear, një pikturë që e ka bërë në 1 Nëntor 1848, që është gryka e kalivacit. Pikërisht aty ku po bëhet hidrocentrali dhe kjo grykë pjesërisht nuk do të jetë më. Gjithsesi shpresojmë që të përfundojë ai hidrocentral”.

“Ne jemi një grup intelektualësh nga fshati i Kalivacit, që kemi marrë përsipër të trajtojmë të dhëna për fshatin. Kam gjetur një hartë të vjetër të huaj të fshatit të Kalivacit dhe të fshatrave përreth, gjë që nuk janë publikuar gjëkundi. Ishte kënaqësi që e gjeta”.

Nëse çdokush, gjithë jetën është në kërkim të thesarit të tij, Veziri e ka gjetur atë. Interneti për të është një minierë ari, një mundësi për të arritur gati të pamundurën dhe për të plotësuar veten në të gjitha kuptimet dhe nevojat.

Top Channel