Autoritetet lokale të Shkupit ende nuk kanë dhënë dritën jeshile për përdorimin e gjuhës shqipe në tabelat orientuese, që u vendosën tri muaj më parë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Në këto tabela orientuese është përdorur vetëm gjuha maqedonase dhe ajo angleze, kurse shqipja është anashkaluar, edhe pse përdorimin e saj e garanton ligji.

Pas problematizimit të kësaj çështjeje, u formua një komision me ekspertë për interpretimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në gjithë territorin e Shkupit, por anëtarët e këtij komisioni janë takuar vetëm një herë dhe kjo çështje ende nuk ka gjetur zgjidhje.

“Për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale, ky komision ndërpreu përkohësisht punën, që të mos keqpërdoret për qëllime politike. Gjatë javës, pritet që anëtarët e këtij komisioni të mblidhen përsëri për të vazhduar punën dhe për të parë si është e rregulluar kjo materie me ligj”, tha Koce Trajanovski, kryetar i qytetit të Shkupit.

Anëtarët shqiptarë të këtij komisioni thonë se argumentet janë në anën e tyre dhe presin, që komisioni të japë mendim pozitiv në favor të përdorimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Shkupit, ku mbi 20% të popullsisë e përbëjnë shqiptarët, dhe jo vetëm në komunat brenda kryeqytetit, ku shqiptarët janë shumicë.

Sipas ligjit për gjuhët, në qytetin e Shkupit, përveç maqedonishtes, zyrtare është edhe ajo gjuhë, që flet 20% e popullatës, ndërsa ligji për emërtimin e objekteve thotë se, rrugët dhe objektet emërtohen edhe në gjuhë tjetër, kur 20% e popullatës së komunës i përket një etnie dhe gjuhe tjetër.

Zyrtarimi i gjuhës shqipe, vazhdimisht ka qenë temë debati edhe mes partive shqiptare. Opozita, në të kaluarën, ka reaguar disa herë ndaj mos përdorimit të shqipes në shumë institucione. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BDI-së thonë se ndryshimi i ligjit për gjuhët, në vitin 2011, avancoi përdorimin e shqipes, por, sipas tyre, zbatimi i ligjit has në vështirësi të mëdha te pala maqedonase.

Top Channel