Burgjet e Greqisë do të shpërthejnë në muajim tetor. Ka qenë ky paralajmërimi që një grup përfaqësuesish të gardianëve të burgjeve i kanë bërë komisionit parlamentar në një raport për gjendjen e insitucioneve penitenciare të vendit.

Përfaqësuesit e unionit të sindikalistëve të rojave të burgjeve kanë përshkruar kushtet tragjike që ekzistojnë në to dhe që shpesh herë sipas tyre tejkalojnë kufirin e mjerimit, duke kërkuar nga Parlamenti grek dhe nga qeveria masa urgjente.

“Dhuna midis të burgosurve, kushtet e jetesës, besimet e ndryshme fetare, bashkë me masat e pamjaftueshme të sigurisë, përbëjnë një përzierje eksplozive që do të çojë në një shpërthim të llahtarshëm në muajin tetor”, ka deklaruar Antonis Aravantinos, një prej rojeve të burgut psikiatrik në Koridhalo.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu për perleshje midis të burgosurve sunitë dhe shiitë, për arsye të mungesës së sigurisë, duke bërë krahasim edhe me Shqipërinë, ku në burgjet e saj për 4.000 të burgosur punësohen 2.000 roje burgu, kurse në Greqi ky raport është qesharak pasi ka raste që koinçidon një roje për 400 me 500 të burgosur.

Vetëm në muajt e fundit, sipas raportit të dorëzuar në Parlament, ka pasur 110 rrahje të rojeve nga të burgosurit. Greqia është kritikuar shpesh herë nga organizata ndërkombëtare dhe gjykatat e të drejtave të njeriut për kushtet e burgjeve të saj dhe sidomos për keqtrajtimin e të burgosurve me shembullin e fundit, vrasjen nga torturat e ushtruara të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli.

Por megjithë premtimet dhe disa reforma gjysmake të pazbatuara, asgjë nuk është bërë për përmirësimin e gjendjes dhe problemi kryesor mbetet mbipopullimi, me shembull karakteristik disa prej 34 burgjeve të vendit, ku numri i të burgosurve është gati dy herë më i madh se kapaciteti i tyre. Në institucionet penitenciare greke vuajnë denimet e tyre mbi 2.600 shtetas shqiptarë.

Top Channel