Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov dhe ambasadori amerikan në Shkup, Paul Wohlers, përmes projektit “sporti, si faktor i tolerancës mes të rinjve, në Maqedoni”, për të tretin vit me radhë kanë përsëritur thirrjet kundër dhunës dhe ofendimeve ndëretnike nëpër terrenet sportive.

Ivanov vlerëson se sporti është një faktor shumë i rëndësishëm në shoqëri dhe mund të ndikojë sidomos te moshat e reja në Maqedoni, për të tejkaluar paragjykimet etnike dhe ato fetare.

“Besojmë që këtë mund ta arrijmë përmes sportit që, bashkë me familjen dhe shkollën, është shtylla e tretë e edukimit të fëmijëve. Nëse kuptohet në mënyrë të drejtë, sporti ka fuqi që të bashkojë, të afrojë dhe të integrojë, t’i eliminojë dallimet etnike, gjuhësore, fetare dhe sociale. Nëse kuptohet gabimisht, sporti mund të shndërrohet në fushë-betejë për ofendimin dhe nënçmimin e njëri-tjetrit. Nga kjo gjë do të humbin të gjithë, përfshirë edhe vet sportin”, tha Gjorgje Ivanov, president i Maqedonisë.

Ambasadori amerikan në Shkup, Paul Wohlers, porositi fëmijët në Maqedoni, që të mësojnë më tepër për punën ekipore dhe sjelljet e mira sportive, si dhe të festojnë atë që i bashkon, në vend të asaj që i ndan.

“Raporti i mirë sportiv, miqësia, bashkëpunimi dhe puna ekipore, asnjëherë nuk dalin nga moda. Ato janë bazat, mbi të cilat ngrihen skuadrat fituese dhe shoqëritë e suksesshme në të gjithë botën. Duke ia treguar rëndësinë e këtyre vlerave fëmijëve në Maqedoni, ky projekt do të kontribuojë për një Maqedoni më të fortë dhe më të bashkuar, për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj”, tha Ambasadori amerikan Paul Wohlers.

Projekti “sporti, si faktor i tolerancës mes të rinjve, në Maqedoni” ka startuar tre vite më parë, me iniciativë të presidentit Ivanov dhe me mbështetjen e Ambasadës amerikane në Shkup. Projekti, deri tani është zbatuar në disa vendbanime, me popullsi të përzier etnike. Të mërkurën, gjashtë komuna të reja firmosën memorandum për zbatimin e këtij projekti, përmes manifestimeve sportive dhe kulturore.

Top Channel