Me 223 vota pro, nga 224 të pranishëm në sallë, Parlamenti grek ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të kreut të partisë neonaziste Agimi i Artë, Nikos Mihaloliakos, krahut të djathtë të tij, Kristos Papas, dhe deputetit Janis Lagos, të cilët ndodhen prej disa muajsh në paraburgim, në pritje të gjyqit.

Transportimi i tyre nga burgu i Koridalosë është kryer nën masa të rrepta sigurie, ndërsa para ndërtesës së Parlamentit, me qindra mbështetës të kësaj partie ishin grumbulluar që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, dhe disa prej tyre kanë hyrë madje edhe deri pranë sallës kryesore, duke hedhur parrulla antiqeveritare.

Lideri i AA, i përgatitur për të dhënë një “shoë” politik brenda tempullit të demokracisë, ka akuzuar sistemin politik të vendit dhe koalicionin qeveritar të kryesuar nga Samaras e Venizelos, duke i quajtur ata si drejtues të një junte të re ushtarake që, duke manipuluar sistemin e drejtësisë, përpiqen të zhdukin partinë e tij nga skena politike. “Jam një nacionalist dhe një anëtar i papenduar i AA” – ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai, së bashku me dy deputetët e tjerë të thirrur në këtë seance parlamentare, kanë dëshmuar se, përveç këshilltarit më të ngushtë të kryeministit Samaras, Takis Baltakos, që u dorëhoq para disa javësh, kanë pasur kontakte edhe me zyrtarë të lartë të Demokracisë së Re, që ndodhen pranë udhëheqësit të konservatorëve. Në fund, ai u ka bërë thirrje 530 mijë grekëve, që votuan në zgjedhjet e fundit për AA, të mbështesin luftën për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Heqja e imunitetit të deputetëve të kësaj partie, i jep dorë të lirë drejtësisë greke të fillojë gjyqin ndaj tyre, me akuzat për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.

Por, provokimi më i madh, i më shumë se 500 mbështetësve të kësaj partie, ishte momenti kur, përballë monumentit të “Ushtarit të Panjohur” para Parlamentit, kënduan  himnin nazist të përkthyer në greqisht, duke mbajtur në duar flamujt dhe simbolet e partisë së tyre dhe më pas hidhnin parrulla ndaj politikanëve grekë, që i cilësonin si mafiozë dhe  tradhëtarë.

Top Channel