Një jetë në punë, përkrah njëri-tjetrit!

04/06/2014 00:00

Edhe pse nuk njihen me njëri-tjetrin, këta dy çifte kanë diçka të përbashkët. Çifti Bërdica dhe çifti Sinaj nuk e konceptojnë dot ditën, nëse nuk janë me partneret e tyre gjatë gjithë kohës!

Eduardi dhe Albana janë njohur 10 vjet më parë. Prej atëherë nuk kanë jetuar thuajse asnjë ditë larg.

Për artistët është e rëndësishme të krijojnë në ambient të qetë! Mozaicisti, për shumë vite kishte punuar i vetëm në këtë vend, deri kur, pas martesës, si çdo gjë tjetër, edhe studion e ndau me bashkëshorten e tij piktore, Albanën.

Gjatë këtyre viteve kanë krijuar një rutine të këndshme. Ora 8 e mëngjesit i gjen gjithmonë në punë, ku pijnë edhe kafen. Koha kalon shpejt në studio, veçanërisht kur nis një projekt i ri!

Pavarësisht se janë të paduruar të shohin produktin të realizuar, “dita e punës” përfundon në 4 e gjysmë të pasdites. Pas kësaj, ndër gjërat që u japin më shumë kënaqësi, është të shëtisin të dy ose të pijnë një kafe në natyrë!

Learti e Teona janë mjekë patologë. Janë njohur kur ishin studentë, në vitin ’97. Prej atëherë, duke pasur të njëtin specialitet, shpesh, përveç se shokë jete, kanë qenë edhe kolegë, që kanë ndarë të njëjtin ambient pune.

Gjithashtu, ata janë edhe pedagogë në Universitetin e Mjekësisë, brenda të njëjtës katedër. Aktualisht, koha me studentët është e vetmja gjë, që i mban larg njëri-tjetrit gjatë ditës.

Pjesën tjetër janë duke shijuar këtë stil jetese. Jo në pak raste, “shqetësimet ” e shtëpisë shkojnë në punë dhe, më shpesh, bisedat profesionale i marrin me vete në shtëpi. Pjesë e tyre bëhen edhe dy fëmijët, Leandri dhe Sibora, që gjithmonë e më shumë duan të kuptojnë për profesionin e prindërve.

Të dy çiftet, mundësinë që çdo minutë të ditës janë bashkë, e shohin si një nga dhuratat më të bukura të jetës. Kështu kanë gjetur ekuilibrin mes punës dhe jetës private.

Top Channel