Ali Ahmeti do të drejtojë Bashkimin Demokratik për Integrim edhe në katër vitet e ardhshme. Ai u rizgjodh në këtë post në Kongresin e tretë partiak me vota të hapura, duke marrë besimin e të gjithë delegatëve.

Në fjalën e tij pas rizgjedhjes, Ahmeti tha se ka ardhur koha që maqedonasit dhe shqiptarët të lënë pas të kaluarën për një të ardhme të përbashkët. Ai porositi politikanët maqedonas të tejkalojnë paragjykimet për shqiptarët dhe i ftoi ata t’i përmbahen frymës së Marrëveshjes së Ohrit për të rritur mirëbesimin mes komuniteteve në vend.

“Fryma e Marrëveshjes së Ohrit është të heqim mykun nga koka dhe paragjykimet. Marrëveshja dhe fryma e saj është që të kemi president konsensual, të mos ketë pengesa për një kryeministër shqiptar apo kryetar të parlamentit. Kjo është porosia e Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Ahmeti.

Duke radhitur prioritetet e partisë para delegatëve, Ahmeti tha se BDI po bën përpjekje maksimale për të ndihmuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në samitin e radhës që është caktuar të mbahen në muajin shtator. Për t’i hapur rrugën integrimit Ahmeti tha se është e nevojshme që sa më parë të tejkalohet problemi me Greqinë rreth emrit kushtetues të Maqedonisë dhe në këtë drejtim ai kërkoi ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

“Është një moment i rëndësishëm që komuniteti ndërkombëtarë, pala e tretë, seriozishtë të angazhohet që ky kontest të gjej zgjidhje përfundimtare, sepse me zgjidhjen e këtij kontesti, ne na hapen rrugët drejt proceseve euro-atlantike, procese që nuk kanë alternativë tjerër”, u shpreh lideri i BDI-së.

Në Kongres delegatët përveç kryetarit zgjodhën edhe Këshillin e Përgjithsëhm, si organin më të lartë partiak dhe miratuan programin dhe statutin e partisë. Në dy ditët e ardhshme pritet të zgjidhet kryesia qendrore e BDI-së, nënkryetarët e saj dhe ministrat që do të përfaqësojnë këtë parti në qeveri.

Top Channel