Dorëheqja e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave për të ardhurat publike, pasditen e së enjtes, konsiderohet si shenja e parë e reformatimit të qeverisë greke që pritet sipas të gjitha gjasave në orët e ardhshme.

Nën presionin e kreditorëve ndërkombëtare, Harris Theoharis ishte caktuar prej vitit 2012 të themelonte një sitem tatimor të pavarur deri në 2018, ndaj largimi i tij është pritur me shqetësim nga Brukseli.

“Edhe për mua do të jetë shumë e vështirë braktisja e postit të ministrit”, ka deklaruar disa orë më vone edhe kreu i Financave, Janis Stournaras, për të cilin thuhet se do të bëhet guvernator i Bankës së Greqisë.

Rezultati negativ për koalicionin qeveritar në zgjedhjet për PE dhe diferenca me radikalët e majtë detyrojnë kryeministrin Samaras të ndryshojë figurat kryesore të qeverisë, sidomos stafin e Ministrisë së Financave që është personifikuar me politikat e ashpra dhe reformat e rrepta të kursimit.

Samaras dhe aleati i tij në qeveri Venizelos kërkojnë që tashmë në drejtimin e disa ministrive kyçe që do zbatojnë reformat ekonomike në të ardhmën të jenë politikanë dhe jo teknokratë, duke çuar një mesazh të ndryshëm për mbështetësit e tyre.

Qeveria po trumbeton orët e fundit shpërndarjen e disa ndihmave sociale nga paratë e sufiçitit primar të arritur vitin e kaluar për qytetarët në nevojë, por edhe nga thesari prej 2 miliardë eurosh i harruar në depozitat e bankës shtetërore dhe i zbuluar ditët e fundit.

Gjithashtu, theksohet me të madhe se për herë të parë rritja e papunësisë është ndalur si dhe fakti që vendin do ta vizitojnë sivjet të paktën 19 milionë turistë.

Nga ana tjetër, Radikalët e Majtë shprehen se heqja e disa ministrave nuk përbën ndryshim të politikave dhe se borxhi grek prej më shumë se 320 miliardë eurosh qëndron si një kërcënim mbi Athinën në çdo hap të saj.

Ndaj, kryesorja është reduktimi i një pjese të konsiderueshme të tij dhe krijimi i politikave sociale për grekët që kanë më shumë se 6 vjet të gjunjëzuar nga kriza më e egër ekonomike në historinë e vendit.

Top Channel