Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi i ka sqaruar zëvendës shefit të Ambasadës Amerikane në Shkup, Barton Putney, se gjatë procesit të fundit zgjedhor në Maqedoni janë shkelur normat demokratike.

Thaçi deklaroi se nga ana e partisë qeveritare, BDI, u përdorën të gjitha instrumentet për të frikësuar, kërcënuar dhe shantazhuar votuesit shqiptarë.

Thaçi i paraqiti diplomatit amerikan fakte që sipas tij dëshmojnë për manipulimin e procesit zgjedhor nga ana e BDI-së, në shumicën e vendvotimeve të shqiptarëve.

Gjithashtu, kreu i PDSH-së me përfaqësuesin diplomatik bisedoi edhe për zhvillimet rajonale, si dhe zhbllokimin e procesit integrues të vendit.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se është i nevojshëm kontributi i të gjitha palëve për prioritetin kryesor të vendit, zhbllokimin e procesit për anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, për të siguruar një perspektivë më të mirë për vendin dhe rajonin.

Thaçi u zotua se partia që ai drejton, PDSH, do të vazhdojë të kontribuojë për një dialog të mirëfilltë politik dhe se do të jetë pjesë e një procesi demokratik në vend.

Top Channel