Shqiptarët në Shkup kanë protestuar në afërsi të godinës së Prokurorisë Publike, për të shprehur revoltën e tyre kundër procesit gjyqësor ‘Monstra’.

Protestuesit mbanin në duar parulla me mbishkrime kundër prokurores së rastit, Gordana Geshkovska, e cila javën e kaluar kërkoi nga gjykata dënim të përjetshëm për të dyshuarit.

Familjarët e të akuzuarve për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas dy vite më parë thanë se të afërmit e tyre janë të pafajshëm dhe kërkuan që të ndërpriten rastet e montuara gjyqësore kundër shqiptarëve.

“Kjo është një mënyrë demokratike për të shprehur revoltën kundër institucionit të Prokurorisë Publike në Maqedoni. Ne po kërkojmë drejtësi, ne nuk po kërkojmë mëshirë. Kemi ardhur këtu që në mënyrë dinjitoze ta shprehim pakënaqësinë tonë kundër një institucioni, i cili bën ndarje etnike, fetare dhe poshtëron shqiptarët. Apeloj deri tek partitë politike që ta arsyetojnë votën që kanë marrë prej popullit”, deklaroi Bedri Ajdari, i afërm i të akuzuarit Fejzi Azirit.

“Familjarët tanë nuk janë vrasës të atyre maqedonasve. Ne nuk jemi terrorist. Ne jemi njerëz të paqes dhe që i takojnë këtij vendi”, tha Aqif Sejdiu, babai i të akuzuarit Rami Sejdiu.

Vendimi i gjykatës për rastin ‘Monstra’ pritet të shpallet më 18 qershor. Kërkesa e Prokurorisë Publike për të dënuar me burg të përjetshëm të dyshuarit në këtë rast ka nxitur reagime të shumta.

Pala mbrojtëse insiston se akuza e Prokurorisë nuk është e bazuar në fakte dhe se nuk ekzistojnë prova për t’i shpallur fajtorë të akuzuarit. Për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas dy vite më parë në afërsi të Shkupit akuzohen gjashtë persona.

Top Channel