Finalja e madhe e ‘MasterChef’

07/06/2014 00:00

Kupa e ‘MasterChef’ do të jepet sot në mbrëmje për njërin nga dy finalistët e konkursit të gatimit. Alfio dhe Miklovani, dy miq, që në këtë finale do të jenë mbi të gjitha konkurentë për të fituar përpos kupës, çmimin prej 10 mijë eurosh dhe mundësinë e botimit të një libri me receta gatimi.

Alfio, 24 vjeç, picajol me origjinë nga Shkodra dhe banues prej shumë vitesh në Itali. Gatimi për të është një frymëzim i vazhdueshëm. Pika më e fortë në kuzhinë: durimi. Ka marrë pjesë në ‘MasterChef’ për të fituar njohuri të reja dhe çmimin e madh.

Miklovani, 26 vjeç, i vetëpunësuar, është larguar me gomone nga Shqipëria në moshë të vogël drejt Italisë. Është këmbëngulës dhe organizimi i tij i mirë në punë bën që të përballojë pa asnjë problem të papriturat dhe presionin e kohës në gatim. Merr pjesë në ‘MasterChef’ sepse ai mendon se ka talent!

Dy finalistët kanë mbërritur në këtë javë të 14 pas një sërë sfidash në grup dhe individuale.

Fillimisht ishin 25 konkurentët e përzgjedhur nga audicionet. 14 prej tyre arritën të hynin në kuzhinën e ‘MasterChef’. Gjithçka nën vëzhgimin dhe testimin e kujdesshëm të tre shefave: Gëzimit, Sokolit dhe Renatos.

Do të jenë sërish ata që do të përzgjedhin edhe fituesin mes Alfios dhe Miklovanit, të cilët do të përballen në këtë duel final me gatimet e recetave të krijuara nga vetë ata në një kuzhinë krejtësisht të ndryshuar.

Top Channel