Dy artifakte të lashtësisë që datojnë rreth 4 mijë vjet më parë dhe që janë vjedhur nga Greqia para pesë dekadash i janë kthyer Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Athinës nga Muzeu Gjerman i Baden Wurtenbergut, ku ato kanë qenë te ekspozuara prej vitit 1978.

Bëhet fjalë për një statujë gruaje prej mermeri 90 cm e gjatë, si dhe një disk i gdhëndur i quajtur “ena e tiganisjes”, që i përkasin periudhës së hershme çikladike, me vlerë mbi 4 milionë euro.

“Mirëpresim sot në shtëpi, sepse këtu është shtëpia e tyre, dy objektet e periudhës së hershme çikladike pas një udhëtimi të gjatë, të mundimshëm dhe të padëshiruar”, deklaroi ministri i Kulturës, Panos Panagiotopoulos.

Dy objektet në fjalë kanë qenë shkak për polemika të shumta mes Greqisë dhe Gjermanisë për vite me radhë, derisa një komision i koleksionistëve dhe shkencëtarëve të landit të Badenit ka pranuar se blerja e objekteve të vjedhura nga Muzeu Gjerman ishte e gabuar dhe se ato, sipas një ligji të UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimive kulturore, duhet të ktheheshin aty ku ishin marrë.

“Ne jemi këtu për të marrë përgjegjësinë e këtij akti, duke e korrigjuar atë, duke i dhënë përsëri këto dy objekte Greqisë. Kjo është një nga shenjat për zhdukjen e hendekut që ekziston mes nesh. Qëllimi është për të filluar një miqësi të re të sigurisë, besimit dhe respektit”, deklaroi Katarina Horst nga muzeu i landit të Badenit.

Ka më shumë se 10 vjet që Ministria greke e Kulturës ka nisur një fushatë për rikthimin e mijëra objekteve të antikitetit që janë vjedhur dhe janë shitur në mënyrë ilegale jashtë vendit. Vetëm vitin e kaluar janë kthyer mijëra objekte qeramike të marra nga trupat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kthimi i tyre ka hapur përsëri shpresën dhe debatet për rikthimin e mermerëve të Parthenonit të marra 200 vjet më parë nga diplomati britanik, Lordi Elgin dhe të vendosura aktualisht në Muzeun Britanik në Londër.

Top Channel