Surpriza e reformatimit të qeverisë greke ka filluar me shfaqjen e zëdhënëses së re të kabinetit Samaras, zonjës Sofia Voultepsi, gruaja e parë në këtë post në gjithë historinë e qeverive greke.

Vetëm disa minuta pasi mësoi emërimin e saj, ajo në një konferencë për shtyp ka publikuar edhe emrat e ministrave dhe zv/ministrave të rinj, më të cilët kreu i konservatorëve në fuqi, Andonis Samaras, bashkë me liderin e PASOK-ut Evangjelos Venizellos, kanë vendosur të vazhdojnë reformat e rrepta për daljen e Greqisë nga kriza dhe rimëkëmbjen e ekonomisë së saj.

Surpiza e dytë ka qenë emri i të ashtuquajturit “cari i ekonomisë” në postin e Ministrisë së Financave, pasardhësit të Janis Stournaras, që sipas gjasave do të emërohet në postin e guvernatorit të Bankës së Greqisë.

Ai është Gkikas Hardhuvelis, profesor në Departamentin e Bankar dhe Menaxhimin e Financave në Universitetin e Pireut dhe njëkohësisht shef i financave dhe lider i grupit të kërkimeve ekonomike të Eurobank.

Ai është i njohur qysh prej qeverisë së përkohshme të Lukas Papadhimos në vitin 2011, kur negocionte për reduktimin e borxhit grek, në postin e zyrës së financave të kryeministrit, post në të cilin ka punuar edhe në vitet 2000-2004 me kryeministër liderin e atëhershëm të PASOK-ut, Kostas Simitis.

Gjithashtu, ai është anëtar i shumë akademive të universiteteve ekonomike apo fondacioneve financiare të huaja. Gjithësej kryeministri Samaras ka përfshirë 21 emra të rinj nga gjithësej 46 anëtarët e kabinetit të tij, kryesisht në postet e zv/ministrave.

Bie në sy caktimi i një gazetari në timonin e Ministrisë së Brendshme, si dhe i një sportisti në atë të Ministrisë së Rendit. Ndërkohë, asgjë nuk ka ndryshuar në Ministrinë e Jashtme të drejtuar nga Evangjelos Venizelos, i cili mban edhe postin e zv/kryeminstrit si aleat në qeveri, si dhe tek postet e ministrave të Mbrojtjes, Drejtësisë, Reformave Administrative, Energjisë, Mjedisit, Punës, Marinës Tregtare, Turizmit dhe Shtetit.

Siç vlerësojnë analistët, Samaras me këtë kabinet të ri synon të ndryshojë opinionin negativ të krijuar për qeverinë e tij, sidomos në aspektin e masave sociale për grekët në nevojë, por edhe për vazhdimësine e reformave, pas mesazhit në zgjedhjet për PE ku konservatorët kanë humbur me gati 4% të votave nga Radikalët e Majtë. Betimi i qeverisë së re do të bëhet në praninë e kryepeshkopit dhe presdientit të vendit rreth orës 15 të së martës.

Top Channel