Assad, amnisti pas rizgjedhjes

09/06/2014 00:00

Presidenti sirian Bashar al-Assad njoftoi një amnisti të gjerë gjatë së hënës, në më pak se 1 javë pas rizgjedhjes së tij për një mandat të tretë 7-vjeçar, pavarësisht luftës civile në vend.

Në një dekret të publikuar nga media shtetërore, Assad zëvendësoi dënimet me vdekje me burgime të përjetshme, reduktoi afatet e burgimit për shumë vepra penale, si dhe anuloi tërësisht disa të tjera.

Të huajt që kanë hyrë në vend “për t’iu bashkuar një grupi terrorist apo për të ndërmarrë ndonjë akt terrorist” do të fitojnë amnistinë, nëse u dorëzohen autoriteteve brenda 1 muaji, bëhet e ditur në dekret. Pengmarrësit që do të lirojnë pengjet dhe dezertorët e ushtrisë do të mbrohen gjithashtu, thuhej në të.

Assad ka ofruar disa herë amnisti, që kur nisën protestat kundër regjimit të tij, në Mars 2011. Demonstratat janë përballur me rezistencën dhe sulmet e forcave të sigurisë, besnike të tij, e më pas konflikti u përkeqësua deri në një luftë civile, që ka vrarë deri më tani mbi 160 mijë njerëz.

Kundërshtarët thonë se vetëm një pjesë e të burgosurve janë liruar gjatë amnistive të kaluara, duke lënë me mijëra të tjerë, përfshi rivalë politikë dhe aktivistë, së bashku me kriminelët nëpër burgje, shumica e të cilëve kanë rënë prè e abuzimeve.

Ish-i dërguari për paqen, Lakhdar Brahimi, i cili dha dorëheqjen në fundit të Majit, pasi dështoi me bisedimet e paqes në Gjenevë, tha se i kishte dorëzuar Assad-it një listë me të burgosurit, lirimin e të cilëve ka kërkuar opozita.

Top Channel