Secili prej dy finalistëve do të donte të ishte fituesi i “Masterchef”-it të parë shqiptar dhe finalja e ndau këtë gjë, por vetëm në çmim. Alfio dhe Miklovani kanë nisur projektin e parë së bashku! Prej një jave janë “shefa” në të njëjtën kuzhinë, në një restorant në kryeqytet!

Edhe pse në një sfidë, vështirë të besohet se mund të krijohen miqësi të vërteta, ata të dy janë të lumtur, që rastësia i bëri bashkë në të njëjtin konkurs.

“Nuk mendoja kurrë se në një emision të tillë si Masterchef do të krijoja një miqësi kaq të fort. Si çdo konkurrent shohim sfidën tonë fillimisht, donim fitoren, edhe ne rivalizuam, por njëkohësisht krijuam edhe një miqësi shumë të fort”, u shpreh Miklovan Zeqo, finalist i “Masterchef Albania”.

“Për mua nuk ka rëndësi çmimi apo fitorja, por fakti që kam fituar një shoqëri shumë të mirë me Miklovanin dhe Huanin”, tha Alfio Rrotani, fituesi i çmimit të madh të “Masterchef”.

Miklovani, i cili këmbënguli që Alfio të punonte me të, ishte i bindur se të dy do të ishin një skuadër, që nuk i mungon asnjë përbërës.

“Alfio kishte idenë për t’u kthyer në Itali, por ia mbusha mendjen të qëndrojë këtu”, thekson Miklovani.

“Po, miku im Miklovani më bindi për të qëndruar këtu dhe më tha të punonim së bashku, në një punë të mirë”, tha Alfio.

“Në radhë të parë, Alfion e vlerësova si person dhe më pas si një kuzhinier profesionist. Mendoj se të dy bashkë mund të kompletojmë njëri-tjetrin për të krijuar një kuzhinë shumë të fuqishme të dy”, thotë Miklovani.

“Secili prej nesh ka idetë e tij, por së bashku mund të kontribuojmë në bërjen e diçkaje shumë më të mirë. Mendoj se së bashku do të kemi shumë sukses në kuzhinë”, përfundon Alfio.

Përveç çmimit, “Mastershef” u ktheu besimin se Alfio e Miklovani mund të sjellin një tjetër elegancë, shije dhe standard, në kuzhinën shqiptare.

Top Channel