Personat e akuzuar për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas dy vite më parë në afërsi të Shkupit kanë ngritur padi penale kundër qeverisë së Maqedonisë, për shkelje të prezumimit të pafajësisë.

Avokati i të akuzuarve, Naser Raufi tha se dy vite më parë, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovksa, vetëm disa orë pas arrestimit i etiketoi të dyshuarit si vrasës dhe terroristë. Sipas Raufit, në këtë mënyrë ata u dënuan ende pa filluar procesi gjyqësor.

“Kjo deklaratë që është dhënë para gjykimit është deklaratë me të cilën edhe është paragjykuar vetë procesi penal dhe e njëjta ka shkaktuar shumë pengesa gjatë procesit dhe sigurisht mund të ndikojë edhe në aktvendimin e trupit gjyqësor. Këta të akuzuar u dënuan para se të shkonin tek gjykatësi me këtë deklaratë, që është e papranueshme për një shtet ku duhet të sundojë drejtësia”, deklaroi Raufi.

Përmes padisë së ngritur më 7 qershor kundër qeverisë, të akuzuarit kërkojnë 24.5 milionë euro si dëmshpërblim material dhe moral për shkak të etiketimit si vrasës dhe terroristë.

Avokati Naser Raufi tha gjithashtu se Gjykata e Strazburgut ka gjykuar dy raste të ngjashme, ku qytetarët kanë paditur shtetin francez dhe atë serb.

“Në padi kemi dhënë edhe dy shembuj të ngjashëm që janë realizuar në Francë dhe Serbi. Kjo padi do të realizohet nga ana e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strazburg sepse nuk mendojmë se do të kemi efekt të posaçëm me këtë padi në Maqedoni. Mundësinë tonë e shohim në Gjykatën e Strasburgut”, nënvizoi Raufi.

Procesi gjyqësor “Monstra”, ku gjashtë shqiptarë akuzohen për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, ka nisur dy vite më parë. Vendimi i gjykatës për këtë rast pritet të shpallet më 18 qershor të këtij viti.

Prokuroria publike ka kërkuar dënim të përjetshëm për të akuzuarit. Pala mbrojtëse e cilëson si rast të montuar pasi sipas avokatëve dhe familjarëve të të dyshuarve, nuk ekziston asnjë provë që dëshmon se të akuzuarit kanë kryer krimin.

Top Channel