Pakistan, aeroporti i Karaçit rifillon punën

09/06/2014 00:00

Aeroporti më i madh i Pakistanit ka rifilluar aktivitetin pas sulmit të armatosur të militantëve që la të paktën 28 të vdekur, përfshirë këtu atentatorët.

Një zëdhënës qeveritar deklaroi se një hetim gjithëpërfshirës është në zhvillim e sipër. Asif Kirmani, sekretari politik i kryeministrit Nawaz Sharif, vlerësoi gjithashtu përgjigjen e forcave të sigurisë.

Sulmi ndaj aeroportit ndërkombëtar të Karaçit nisi në orët e vona të së dielës, me forcat e sigurisë që morën nën kontroll situatën në orët e para të së hënës.

Talebanët pakistanezë morën përsipër përmes një deklarate përgjegjësinë e sulmit, si hakmarrje për vrasjen e liderit të tyre vitin e kaluar.

Aeroporti u mbyll, pasagjerët u evakuuan dhe fluturimet u anuluan përkohësisht, derisa forcat e sigurisë u kundërpërgjigjën dhe morën nën kontroll situatën.

Sulmi vjen në një kohë kur flitet për një ndarje të thellë në radhët e talebanëve pakistanezë dhe kërcënimeve për shpagim pas kufizimit të operacioneve ushtarake kundër militantëve të huaj në Uaziristanin Verior.

Sipas të dërguarit të BBC në Islamabad, duke parë shkallën e dhunës është mëse e qartë se çdo pretencë për avancimin e procesit të paqes ka marrë fund. Vetëm pakë vetë mendonin se bisedimet e fundit mes qeverisë dhe militantëve do të çonin diku.

Sulmi gjithashtu është një alarm që u kujton autoriteteve se, nëse duhet, pavarësisht ndasive mes tyre, talebanët ruajnë aftësinë për të goditur me sulme spektakolare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB