Në prezencën e presidentit Karolos Papulias, në një ceremoni tradicionale ortodokse të drejtuar nga Kryepeshkopi Jeronimos, është betuar në Athinë kabineti i ri i kryeministrit Samaras, që ka kryer riformatimin e tretë të radhës, prej Qershorit të vitit 2012, kur ka ardhur në fuqi dhe udhëheq në koalicion me socialistët e PASOK-ut.

Samaras, që ka mbërritur i shoqëruar nga ministri i ri i Financave, Gikas Hardhuvelis, ka ndryshuar 21 ministra dhe zv/ministra nga kabineti i vjetër, duke e zgjeruar atë me katër poste dhe duke e bërë më të djathtë dhe më konservatore, siç shprehen dhe analistët vendas.

Ka munguar në ceremoninë e betimit zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Evangjelos Venizelos, i cili i ka kaluar orët e fundit në një spital të Athinës, për arsye shëndetësore.

Me këtë lëvizje, Samaras ka dashur t’i japë një drejtim të ri kabinetit që drejton, duke gërshetuar dy politika paralelisht të kundërta, siç janë thellimi i mëtejshëm i reformave që kërkojnë kreditorët, por edhe zbatimin e një politike sociale, duke dashur të bindë opinion publik se e ka marrë tashmë mesazhin e zgjedhjeve për PE, ku fitues ishin Radikalët e Majtë.

“Qëllimi mbetet i njëjtë. Të përfundojmë përpjekjet tona, të dalim nga kriza, t’u japim fund ndihmave financiare, të realizojmë gjithë reformat strukturore dhe, mbi të gjitha, të përshpejtojmë progresin ekonomik, sepse rimëkëmbja ka filluar tashmë”, tha kryeministri grek, Antonis Samaras.

Karakteristikë e skemës së re qeveritare është fakti që ka vetëm 6 gra nga 46 anëtarët e saj, 13 prej të cilëve i takojnë PASOK-ut dhe 32 Demokracisë së Re, një raport që tregon qartë ruajtjen e balancave të dy partive në pushtet.

Përsa i përket ministrit të ri të Financave, për të cilin mediat e huaja shprehen se është një teknokrat i aftë në këtë sektor, thuhet se do të vazhdojë rrugën e vështirë të Greqisë për rimëkëmbjen e ekonomisë, nëpërmjet një disipline të rreptë financiare, duke i dhënë hov zhvillimit të vendit, por edhe duke reduktuar taksat.

“Ekonomia është stabilizuar, zhvillimi po vjen, kështu që është e rëndësishme që ne të vazhdojmë reformat, është e rëndësishme që ne të përpiqemi”, tha Gikas Hardhuvelis, ministri i ri i Financave.

Pas betimit, të gjithë ministrat dhe zëvendës/ministrat i janë drejtuar sallës së veçantë të kabinetit, në Parlament, ku është zhvilluar edhe mbledhja e parë e qeverisë së re.

Top Channel