Zoran Jolevski nuk do të jetë më negociator i Maqedonisë, në bisedimet për çështjen e emrit, që zhvillohen me palën greke, me ndërmjetësim të OKB.

Jolevski, i cili deri tani ka qenë edhe Ambasador i Shkupit në SHBA, është caktuar ministër i Mbrojtjes në qeverinë e re të Maqedonisë. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Ambasadori i ri në Uashington, Vasko Naumovski, do ta zëvendësojë Jolevskin edhe në bisedimet për emrin.

Tërheqja e Jolevskit nga negociatat me Greqinë, vetëm tre muaj para Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Shtator, në Kardif të Britanisë së Madhe, është sinjal se kompromisi për problemin bilateral, që është kusht për anëtarësimin e Maqedonisë, vështirë se mund të arrihet në këtë periudhë.

Ndonëse kryeministri Gruevski ka deklaruar se prioritet kryesor i qeverisë së re është anëtarësimi i vendit në strukturat euro-atlantike, mediat në Shkup shkruajnë se tërheqja e Jolevskit nga bisedimet pakëson shanset për integrimin e shpejt të vendit.

Analistët vlerësojnë se, përmes këtij veprimi, Gruevski i dërgon porosi edhe partnerit shqiptar të koalicionit, se nuk lëshon pè për emrin, pavarësisht presioneve. Partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka bërë të ditur se do ta rishqyrtojë pjesëmarrjen në qeveri, nëse deri në Shtator nuk shënohet progres në drejtim të zgjidhjes së problemit të emrit dhe anëtarësimit të vendit në NATO.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, javën e kaluar e ka pranuar publikisht, se partia e tij ka hequr dorë nga kërkesa për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe, për t’i dhënë përparësi integrimit.

Top Channel