Kush u mëson shqip superheronjve dhe princeshave

10/06/2014 00:00

Ata janë të vegjël, disa prej tyre nuk dinë as të lexojnë, e megjithatë janë zërat më të njohur të filmave të animuar në shqip.

Fjola është 6 vjeç. Ende nuk ia ka zënë fillin shkrimit dhe këndimit, por është në rrugën e mbarë të dublimeve, për të cilin vë të gjitha forcat e saj në lëvizje.

Ndërsa Erkeni është djali, që zotëron thuajse të gjithë rolet kryesore të filmave të animuar. Ai ka dubluar shumë personazhe. Ndër më të fundit janë Diego dhe Meni duararti.

Fundjavat e këtyre vogëlushëve nuk shkojnë thjesht për argëtim. Ata kalojnë disa orë në këtë studio dublimi, për të ngjyrosur, me zërat e tyre në shqip, personazhet më të dashur për fëmijë.

Uesli është 5 vjeç e gjysmë, por ai ka dubluar filma që dy vjet më parë. Jo pak për një fëmijë.

“Uesli ka qenë 3 vjeç e gjysmë. Në fillim e bëmë si diçka argëtuese për të kaluar fundjavën, por pastaj e pamë se u përfshi shumë mirë, nisi të dublonte dhe t’i theksonte shumë mirë gërmat. Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Tashmë u bë dy vjet që është pjesë e kësaj kompanie”, tha Raida, nëna e Ueslit.

Raida, nëna e Ueslit, tregon se kjo eksperiencë, së pari i ka bërë mirë atij vetë.

“Fillimisht e përjetonte me emocion, duke qenë se ishte shumë i vogël. Ishte i ndrojtur nga kamerat, dritat, kufjet, por tashmë duket se çdo gjë ka kaluar. Nuk ka as emocione dhe as ndonjë problem me këto gjëra. Duket sikur kjo është bërë pjesë e tij dhe përfshihet sa herë që ka audicione, i duket si një lloj profesioni”, shton Raida.

Ka disa shpërblime ky angazhim, përfshi edhe atë financiar. Por, kënaqësia më e madhe për fëmijët është kjo.

“Na bën neve të ndërpresim çdo gjë, të ulemi përpara televizorit dhe të shohim atë që ai ka dubluar”, thekson e ëma e Ueslit, Raida.

Shpesh, batutat e tyre janë shumë natyrale. Shpesh është shumë më e lehtë të realizosh me ta, atë që i qaset botës së fëmijëve, por ndonjëherë nuk janë gjithmonë në humorin e duhur për të improvizuar.

Top Channel