Vitet e fundit ngrohja globale është kthyer në një fenomen shqetësues gjithnjë e më shumë në rritje. Ekspertët më të njohur të mjedisit kanë nisur të paraqesin plane konkrete.

Instituti i Studimeve Klimaterike në Britani thotë se duhet të rriten me 10% situatat e gjelbëruara në çdo vend të botës. Për t’i paraprirë efektit serë.

Ndryshimet e shpeshta të motit janë një nga dëshmitarët kryesorë se ngrohja globale tashmë ka përfshirë edhe vendin tonë. Ky fenomen ka lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetin e njerëzve.

“Nëse do të përqendrohemi te ndryshimet klimaterike do të na duhet të diskutojmë për funksionin që sot ka kaluar në plan të parë, quhet ‘funksioni i katërt i pyllit’ që ka të bëjë me sekuestrimin e karbonit. Sipas studimeve të fundit ka një korrelacion tepër negativ lidhur me reduktimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe rritjen e sëmundshmërisë” tha Zhaneta Prifti, këshilltare e ministrit të Mjedisit.

Mjedisi i gjelbër në Shqipëri po kërcënohet nga urbanizimi i skajshëm përmes ndërtimeve të dendura dhe të larta me beton. Kryeqyteti është emblema e këtij rreziku.

“Nëse do t’i referohemi normave të BE-së, normalisht duhet të jetë 7 metër katror për banor, ndërkohë që shifrat e tanishme janë alarmante”, tha Zhaneta Prifti.

Strategjia e Shqipërisë për mjedisin parashikon mbjelljen e 10 milionë fidanëve deri në vitin 2017, por deri atëherë…“Efektet janë të jashtëzakonshme. Sëmundjet kanceroze, sëmundjet e lëkurës, sëmundjet infektive, të gjitha kanë bazë çlirimin e gazit karbonit që është jashtëzakonisht i dëmshëm për shëndetin”, shtoi  këshilltarja e ministrit të Mjedisit.  

Top Channel