Deputetët e mazhorancës në Maqedoni kanë ftuar kolegët e opozitës të kthehen në Kuvend dhe ta pranojë humbjen në zgjedhje e 27 prillit, si vendim të qytetarëve.

“Apeloj që në interes të gjithë qytetarëve, kolegët e opozitës të kthehen në Kuvend dhe këtu, në një atmosferë demokratike, të punojmë bashkarisht për të mirën e vendit. Opozita duhet më në fund ta kuptojë dhe pranojë humbjen sepse qytetarët kanë vendosur kështu”, deklaroi Trajko Dimkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Edhe deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti tha se pa opozitën Kuvendi nuk mund të funksionojë me kapacitet të plotë. Ai ftoi kolegët opozitarë të kthehen në Parlament për të mbrojtur interesat partiake dhe shtetërore.

“Vendi i opozitës është këtu në Kuvend dhe jo jashtë tij. Interesat shtetërore mbrohen këtu në Kuvend dhe jo jashtë tij. Kuvendi pa opozitën është i cunguar dhe nuk funksionon me gjithë kapacitetin e duhur”, deklaroi Haliti.

Por, opozita maqedonase ka bërë të ditur se nuk do të kthehet në Kuvend edhe përkundër kritikave të Bashkimit Evropian. 33 deputetë të opozitës maqedonase kanë lënë mandatet e tyre, pasi vlerësojnë se zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të manipuluar nga qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Daljen nga kjo situatë, opozita e sheh në formimin e një qeverie teknike e cila do të organizonte zgjedhje të reja, korrekte dhe demokratike.

Top Channel