Komisioni Europian nisi këto ditë një procedurë penale kundër Bullgarisë, për shkak se porositë e ndërtimit për “South Stream”-in nuk janë dhënë në përputhje me të drejtën e BE-së.

Koncerni rus “Gazprom” kontrollon 50 përqind të të gjithë rrjetit “South Stream”, duke përfshirë edhe tubacionet në Bullgari. Por, kjo bie ndesh me të ashtuquajturën “Paketë e Tretë Energjitike” e BE.

Këtu bëhet fjalë për kërkesën e bllokut, që prodhimi i gazit të ndahet nga transporti dhe shpërndarja e tij, për të mos dëmtuar konkurrencën. Veç kësaj, porosia e ndërtimit në Bullgari iu dha një konsorciumi të afërt me sipërmarrjen ruse “Stroytransgaz”, thotë “Deutsche Welle”, e ajo nuk është vetëm një bijë e “Gazpromit”, por ndodhet edhe në listën e sipërmarrjeve që preken nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

Pas një bisede me tre senatorë amerikanë, kryeministri i Bullgarisë Plamen Oreshanski shpalli ngrirjen e “South Stream”-it, për aq kohë sa nuk janë sqaruar rezervat e BE.

Njëkohësisht me këtë zhvillim, dy partitë në qeveri, socialistët e BSP dhe Partia e minoritetit turk DPS, janë shprehur për zgjedhje të parakohshme parlamentare, vetëm një vit pas marrjes së postit nga Oresharski.

Për ekspertët, ndërprerja e përkohshme e punës në këtë projekt e dëmton qeverinë e Sofjes. Pjesëmarrja në “South Stream” hap, pikërisht për Bullgarinë, mundësinë e përfitimit nga zbritjet e çmimit të gazit rus.

Veç kësaj, meqenëse gazsjellësi do ta anashkalojë Ukrainën, për Bullgarinë rritet siguria e furnizimit, pasi vendi varet nga Moska në masën 90% për plotësimin e nevojave të tij me gaz. Nga “South Stream”, bullgarët shpresojnë të kenë një investim gjigant prej miliarda eurosh, e në përputhje me këtë edhe shumë vende pune të reja.

Top Channel