Greqia nuk do të ndryshojë politikën e saj të reformave, ka deklaruar nga Berlini ministri gjerman i Financave, Wolgang Schauble, në një takim me ish-homologun e tij grek, Janis Stournaras, të cilin e ka përgëzuar për detyrën e tij të re, si guvernator i BG.

Sipas politikanit gjerman, kryeministri grek Antonis Samaras e ka siguruar se ndryshimi i ministrit të Financave nuk do të sillte një ndryshim në politikën e Greqisë për zbatimin e masave që kërkojnë kreditorët.

“Ndryshimi në pozitën e ministrit të Financave nuk do të thotë një ndryshim në politikë. Unë nuk e njoh ende kolegun e ri, por sigurisht që do ta bëj këtë së shpejti. Po kërkoj një takim me të dhe jam i bindur se do të vazhdojë bashkëpunimi frytdhënës, që kam pasur me Janis Stournaras. Por, unë jam i bindur se nuk do të ketë asnjë ndryshim në politikë”, tha Wolfgang Schauble, ministri gjerman i Financave.

Wolfgang Schauble ka theksuar gjithashtu se Gjermania do ta ndihmojë përsëri financiarisht Greqinë, në rast se do të ishte e nevojshme.

“Greqia ka bërë një punë të madhe. Kjo është një arritje gjigante dhe ne kemi respektin më të madh për arritjet e saj. Dhe, nëse Greqia vazhdon në këtë rrugë, atëherë nuk ka asnjë dyshim se do të ketë edhe ndihmë financiare shtesë”, tha Wolfgang Schauble.

Deklarata e tij bëhet vetëm disa orë, pasi janë publikuar detajet e raportit të FMN për Greqinë, që ka miratuar lëvrimin e këstit prej 3,4 mld euro për Athinën, por ka veçuar faktin, se vendi do të përballet me një boshllëk financiar në vitet 2015-2016, ndërsa bankat do të kenë nevojë për kapitale të reja.

Gjithsesi, thuhet se kjo situatë nuk do të ketë asnjë lidhje me atë, që u krijua në vitet 2010-2012, kur vendi ishte një hap larg falimentimit, siç përshkruhet në librin e ish-guvernatorit të BG, “Historia e krizës së madhe”, ku midis të tjerash paraqiten çastet dramatike, kur në Greqi erdhën të paktën tri herë me avionë dhe u shpërndanë me kamiona nëpër banka, mbi 5,6 mld euro, pasi qytetarët të frikësuar tërhiqnin depozitat e tyre nga bankat, ku kishin mbetur vetëm një sasi e vogël kartmonedhash.

Top Channel