Recesioni shkaktoi 10 mijë vetëvrasje më shumë

12/06/2014 00:00

Kriza ekonomike në Europë dhe Amerikën Veriore ka shkaktuar mbi 10 mijë vetëvrasje shtesë, sipas shifrave të publikuara nga studiuesit britanikë.

Një studim i publikuar nga “British Journal of Psychiatry”, tregon se “vetëvrasjet janë rritur ndjeshëm”.

Grupi i studiuesve ka bërë të ditur se disa prej vdekjeve mund të ishin shmangur, pasi disa vende nuk kanë treguar rritje të mesatares së vetëvrasjeve. Grupet e aktivistëve thonë se gjetjet e këtij studimi tregojnë se sa të rëndësishme ishin shërbimet e shëndetit mendor.

Studimi i kryer nga Universiteti i Oksfordit dhe Shkollës londineze për Higjienën dhe Mjekësinë Tropikale, ka analizuar të dhënat prej 24 vendeve të BE-së, SHBA-ve dhe Kanadasë.

Sipas tij, vetëvrasjet kishin qenë në rënie në Europë, deri në vitin 2007. Në 2009-n ka pasur një rritje prej 6,5%, një nivel që mbeti i qëndrueshëm deri në vitin 2011.

Kjo shifër është ekuivalente e 7950 vetëvrasjeve më shumë, se sa priteshin nëse vazhdonin trendet e viteve të kaluara, bëri të ditur grupi i studiuesve.

Vdekjet si pasojë e vetëvrasjeve ishin në rënie edhe në Kanada, por është vërejtur një rritje e ndjeshme që kur vendi u prek nga recesioni në vitin 2008, gjë që shkaktoi 240 vetëvrasje më shumë.

Top Channel