Legjislacioni mjedisor shqiptar është brenda të gjithave parametrave europiane, tashmë kërkohet që ai të zbatohet me përpikmëri. Kështu u shpreh i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian, Clive Rumbold, i cili tha se kjo nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit.

“Shqipëria po rrit kapacitetet për një zhvillim të mirë dhe të qëndrueshëm. BE ka ndihmuar, veçanërisht tre vitet e fundit, për përafrimin e kuadrit ligjor. Asistenca e BE ka theksuar nevojën e zbatimit të ligjit dhe ne presim, që standardet europiane të zbatohen edhe këtu”, tha Clive Rumbold, kreu i komanduar i BE në Tiranë.

“Marrja e statusit kandidat në BE ka të bëjë me një përpjekje të gjithanshme për arritje dhe objektiva të integrimit në të gjithë sektorët, përfshirë padyshim edhe mjedisin. Procesi i përafrimit të legjislacionit dhe politikës europiane, për fusha të veçanta të mjedisit, nuk përfundon këtu. Mbetet akoma shumë për të bërë, për të realizuar këtë detyrë kaq komplekse, jo vetëm lidhur me transfuzimin, por sidomos me zbatimin dhe detyrimin e legjislacionit”, tha ministri Lefter Koka.

Ministri i Mjedisit Koka tha se po punohet në fusha delikate të mjedisit, siç janë përmirësimi i cilësisë së ajrit, mbetjet, biodiversiteti dhe ndalja e krimit ndaj mjedisit.

Top Channel