Raporti i fundit i Freedom House e rendit Maqedoninë në kategorinë e vendeve në tranzicion me regjime hibride, respektivisht me demokraci të rremë.
Të njëjtën renditje Maqedonia e ka pasur para dhjetë viteve.

Maqedonia, sipas raportit të FH, radhitet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe gjyqësorit, kurse vlerësimi më i keq në raport jepet për gjendjen e mediave.

Organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, CIVIL, me seli në Shkup vlerëson se raporti është objektiv. Madje, sipas drejtuesit të kësaj organizate, Xhabir Deralla, situata reale në vend është edhe më e rëndë.

“Unë do të thosha se situata më dramatike paraqitet sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës. Në Maqedoni kemi të burgosur politikë dhe është cënuar liria e medies. Vendi nuk ka kapacitete dhe kushte për të organizuar zgjedhje demokratike. Raport i Freedom House është i saktë, objektiv, korrekt, por është shumë i butë, respektivisht formulimet në të janë fleksibël”, ka deklaruar Deralla.

Raporti nënvizon edhe krizën politike që ka kapluar vendin që nga viti 2012, kur pushteti gjatë miratimit të buxhetit nxorri me forcë nga Parlamenti deputetët e opozitës dhe gazetarët.

“Kuptohet, fajtorë për këtë situatë janë ata që kanë në duar instrumentet për të zbatuar proceset demokratike, pra pushteti. Nëse pushteti nuk ka vullnet politik ose nëse ka ndërmend plane të tjera, atëherë kuptohet se proceset do të kthehen mbrapa”, ka nënvizuar Deralla.

Në raport përmendet edhe rasti i gazetarit Tomislav Kezharovski, i cili u dënua me burg në vitin 2013, si dhe ndikimi i pushtetit në miratimin e ligjit të diskutueshëm për mediat.

Top Channel