Brazili do të jetë qendra e botës për futbolldashësit, për 30 ditë. Vendi latin do të mikpresë, për të dytën herë në histori, kampionatin botëror të futbollit. Ky është eventi më i shtrenjtë në histori, pasi do të kushtojë mbi 11 miliardë dollarë.

Këto shpenzime të mëdha, në një vend që vuan nag varfëria, krimi dhe korrupsioni, kanë bërë që kjo kupë bote të jetë një nga ngjarjet më të diskutueshme në historinë e FIFA-s. Artisti Paulo Ito, përmes grafiteve, ka prekur ndjenjat e brazilianëve, që mendojnë se kupa e botës duhet ndërprerë në favor të çështjeve sociale.

Njëra nga pikturat thuhet se është postuar më shumë se 96,000 herë në Facebook, sipas “LA Times”. Protestat kanë vazhduar në të gjithë vendin, si pakënaqësi mbi sasinë e parave të shpenzuara për ndërtimin dhe rinovimin e 12 stadiumeve, kostoja e të cilave është katërfishuar nga vlerësimet fillestare.

Jo të gjitha veprat e artit, që vijnë nga Brazili, janë politike. Ekipi kombëtar i Brazilit do të udhëtojë me një avion të mbuluar nga piktura të artistëve binjakë Otavio dhe Gustavo Pandolfo. Ata përdoren 1,200 shishe me spraj, për të mbuluar një “Boeing 737” me fytyrat, që ata thonë se përfaqësojnë diversitetin dhe ngjyrat e kulturës braziliane.

Por, një kupë bote ka edhe kërkesa të ndryshme nga vendet pjesëmarrëse.

Ekipi francez ka kërkuar, që të përdorë vetëm sapun të lëngshëm. Skuadra e Kilit ka kërkuar të ketë shtretër dhe televizorë të rinj, në çdo dhomë hoteli ku do qëndrojnë lojtarët kilenë. Ekipi i Ekuadorit dëshiron një shportë me banane në çdo dhomë. Ndërsa Portugalia ka kërkuar të ketë gjashtë truproja, që do të qëndrojnë gjithë kohën me ekipin, katër prej tyre do të ruajnë vetëm Cristiano Ronaldo-n.

Çdo skuadër pjesëmarrëse në Botëror do të fitojë automatikisht 1 milion euro, ndërsa fituesja e Botërorit 25 milionë euro.

Top Channel