Shkaqet e depresionit dhe roli i mjekut

12/06/2014 00:00

Në jetën e përditshme janë të shumta arsyet, që mund të na shkaktojnë mërzi, nervozitet, rënie të dukshme të interesit, kënaqësisë për aktivitetet e përditshme, madje edhe ndjenja zhvlerësimi ose vetëakuzim për faje të ndryshme.

Megjithatë, sipas specialistëve, për t’u siguruar se individi ka depresion, duhen të përmbushen të paktën 5 nga 9 simptomat kryesore, për një periudhë të gjatë ose të përsëritur.

“Këtu vijnë raste nga më të ndryshmet, me të gjitha llojet e çrregullimeve psikiatrike. Këtu mund të vijnë me çrregullime të ankthit, pacientë që vuajnë nga çrregullimet e konversionit, të cilat vijnë si pasojë e konvertimit të ankesave të ndryshme psikologjike, në ankesa somatike”, shprehet mjekia psikiatre.

Kështu tregon mjekia psikiatre, Irena Thoma, pranë Spitalit Psikiatrit të Tiranës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë janë më shumë se 350 milionë persona të të gjitha moshave, që vuajnë nga depresioni.

Specialistët thonë se nuk ka shkaqe të veçanta, që mund të çojnë në vetëvrasje, por janë disa faktorë. Megjithatë, jo vetëm depresioni çon në sjellje vrastare, por edhe shumë faktorë të tjerë, siç është çrregullimi i ankthit, personalitetit, humorit, e shumë çrregullime të tjera.

“Nëse kemi sëmundje psikiatrike dhe ka shkaktuar ideacione vrastare dhe tentativën për t’u vetëvrarë, mund të jenë faktorë të ndryshëm situacionalë, të cilat nuk janë në terrenin e çrregullimeve të psikiatrit. Ndoshta mund të jenë në terren të një çrregullimi të personalitetit le të themi”.

Edukimi i popullsisë me njohjen e simptomave të depresionit do të ishte shumë pozitiv, thotë psikiatrja.

“Është shumë e rëndësishme që nga ana e popullatës të ketë një njohje të simptomave psikiatrike, sepse duke i njohur dhe evidentuar këto lloj simptomash në personat e tyre të afërm dhe të dashur, e përdorin këtë si një sinjal alarmi. Njohja nuk do të thotë që ata t’i trajtojnë. Njohja ka të bëjë me dijeninë për t’i evidentuar dhe të vijnë të kërkojnë ndihmë”.

Nuk i ndihmojmë të afërmit apo miqtë tanë, duke mos treguar apo duke e fshehur problemin, përkundazi duhet të bëjmë të pamundurën t’i ofrojmë një ndihmë të specializuar.

Top Channel