Pas një operacioni tepër sekret të forcave të Marinës Detare, organet greke të rendit kanë arritur një sukses të madh në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike, duke asgjesuar një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të drogës dhe duke konfiskuar mbi 1 ton heroinë.

Sipas burimeve pranë Marinës Detare, mbrëmjen e së enjtes, pas një kontrolli në një prej vilave të lagjes Filothei të Athinës dhe në një depo në Koropi është zbuluar 1 ton e 130 kg heroinë.

Në operacion merrnin pjesë specialistë të ekipeve të misioneve speciale, grupi operacional i Departamentit të Antidrogës, ekspertë të krimit ekonomik në Policinë Greke, si dhe agjentë të Agjencisë Amerikane të Antidrogës, DEA.

Sasia e drogës ishte e fshehur në thasë ambalazhi të pluhurit të mermerit dhe me këtë mënyrë realizohej transporti i saj në brendësi të Greqisë dhe jashtë saj.

Sipas burimeve policore, gjithësej janë arrestuar 11 persona, 6 grekë, mes të cilëve një 15-vjeçar dhe 5 të huaj, të gjithë turq. Midis të arrestuarve ndodhet gjithashtu vajza e një tregtari diamantësh, i cili është edhe pronari i vilës ku u gjet lënda narkotike.

Gjithësej u gjenden 443 pako plastike me heroinë dhe një sasi e vogël kokaine. Janë konfiskuar gjithashtu 6 makina luksoze me të cilat kryhej transporti i lëndëve narkotike.

Organet greke po vijojnë hetimet përkatëse, ndërsa të arrestuarit do të dërgohen tek prokurori i Pireut. Për operacionin në fjalë ka shprehur falenderimet më të mira për policinë greke ministri i Marinës Detare.

Top Channel