Një vajzë autike nga Anglia, vetëm tre vjeç, ka mahnitur botën e artit me pikturat e saj të jashtëzakonshme. Iris Grace Halmshaw nisi para pak kohësh një terapi arti, për shkak të sëmundjes së saj.

Piktura, jo vetëm ndihmoi gjendjen, në të cilën kishte avancuar autizmi tek e vogla, pasi tani luan me prindërit dhe shfaqet më e lumtur gjatë jetës së saj të përditshme, por bëri të mundur të zbulohej edhe talenti i jashtëzakonshëm në pikturë. Prindërit vendosën të nxjerrin në shitje pikturat e Irisit, të cilat nisën të shiteshin duke filluar nga 830 paund. Deri më tani, ata kanë shitur tetë piktura.

***

Bitcoin e bën të pasur. Ky është rasti i Erik Finman, që trashëgoi në vitin 2012 nga e ëma 1 mijë dollarë, të cilat i investoi në bitcoin, një monedhë dixhitale. Pas një viti e gjysmë, ai i shiti investimet e tij për 100 mijë dollarë dhe i përdori fitimet për të krijuar një shërbim në internet për bisedat me video, ku mund të kërkosh ndihmë për gjëra të ndryshme, i quajtur Botangle.com. Biznesi i tij tani ka më shumë se 20 punonjës, si programues, dizenjues dhe animatorë.

***

Një dhuratë të veçantë për rojen e shkollës. Nxënësit e Anderson County, në Kentucky, kanë menduar një dhuratë të veçantë për rojen e tyre. Ata e kanë surprizuar atë me një qese me parà, të mjaftueshme për të udhëtuar për te familja e djalit të tij, që jeton në Itali. Në mënyrë të fshehtë, nxënësit kishin krijuar një fond me rreth 2 mijë dollarë, çka i jep mundësi Ricky Spaulding të shkojë të vizitojë mbesën e tij, që nuk e ka parë kurrë.

***

Kurrë mos u dorëzo. Kjo është motoja e një studenti nga Florida, i cili humbi nënën e tij për shkak të leuçemisë dhe ngeli pa shtëpi. Ai punoi shumë dhe ia doli të diplomohej me një mesatare shumë të lartë. “Njerëzit, shpesh më thonin që nuk isha mjaft i zgjuar, por ja ku jam, në krye të klasës sime”, thotë 18-vjeçari.

Top Channel