Të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror për Statistika në Shkup, tregojnë se në vitet e fundit nataliteti tek popullsia maqedonase vazhdimisht shënon ulje.

Në vitin 2013 për herë të parë në 60 vitet e fundit, numri i foshnjave të lindura me enti maqedonase ka rënë nën 50 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare vitin e kaluar, numri i foshnjave me enti maqedonase ka qenë 49,9 për qind apo për 4,4 për qind më i ulët se në vitin 2008. Këto të dhëna sipas ekspertëve është dëshmi se trendi i uljes së natalitetit në dy dekadat e fundit po vazhdon me intensitet të pandërprerë.

Nga ana tjetër, natalitetit tek popullsia shqiptare në Maqedoni vazhdimisht shënon rritje. Në vitin 2013 numri i foshnjave  shqiptare ka qenë 35,1 për apo rreth 3,3 për qind më i lartë se në vitin 2008.
Ekspertët maqedonas thonë se këto shifra janë alarmante, për popullsinë maqedonase pasi mosha mesatare e saj gjithnjë e më tepër po shënon rritje, për dallim nga mosha e shqiptarëve e cila llogaritet e re.

Mediet në gjuhën maqedonase që i kanë dhënë hapësirë këtyre të dhënave shkruajnë se për 10 vite maqedonasit nuk do të jenë më popull shumicë në Maqedoni.

Sipas medieve në Shkup, rrezik për popullsinë maqedonase nuk përbëjnë as grekët dhe as nga shqiptarët, por dëshira e vetë maqedonasve për të mos pas fëmijë.

Një e përjavshme pro-qeveritare në gjuhën maqedonase duke analizuar këto të dhëna, shkruan se kushtet demografike janë aleat i Shqipërisë së Madhe.

Top Channel