Task Force për kontrollin e turizmit

15/06/2014 00:00

Cilësia e ushqimit apo higjienës në njësitë akomoduese dhe të shërbimit pranë bregdetit lë shpesh për të dëshiruar, duke ngjallur pakënaqësi tek turistët që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri.

Me qëllim përmirësimin e këtij shërbimi, nga data 15 qershor deri më 31 gusht, përgjatë të gjithë bregdetit do të stacionohen njësi të task-forcës së turizmit ngritur nga qeveria për mirëfunksionimin e sezonit turistik.

Alfred Dalipi, Zv/ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit, shpjegon: “Nga Velipoja deri në Kospol janë 10 njësi të cilat koordinohen nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit dhe do të jenë prezent në territor me përfaqësimin e të gjitha strukturave që kanë autoritetin dhe kompetencat për të ushtruar kontroll në njësitë akomoduese dhe të shërbimit.”

Zëvendësministri i turizmit, Alfred Dalipi, thotë se përveç kontrollit që do të ushtrohet nga njësitë e task-forcës sipas një grafiku, në dispozicion të qytetarëve është vënë dhe një numër i gjelbër. Shqetësimet e qytetarëve do u kalojnë inspektorëve në terren të cilët kanë kompetencën të ndëshkojnë bizneset: “Personi përgjegjës ka tagrin për të vendosur gjobë, për të mbyllur aktivitetin apo të shoqërojë zotëruesin e biznesit në polici.”

Zëvendësministri Dalipi thotë se kjo është një përpjekje e parë e asaj që parashikon ligji i ri për turizmin sa i përket kategorizimit, standardizimit dhe certifikimit të njësive akomoduese në të gjithë vendin në muajin shtator.

Top Channel