Botërori terrorizon banorët e Tiranës

15/06/2014 00:00

Ndeshjet e Kampionatit  Botëror të futbollit, që sapo ka filluar, për disa janë kënaqësi dhe ndiqen me  kërshëri, ndërsa për të tjerë janë shndërruar në makth.

Të gjitha kafenetë dhe baret e Tiranës janë shndërruar në kinema, ndërsa tifozëria sillet si të ishte në stadiume.

Pronarët kanë nxituar të sigurojnë projektorë për të pasur sa më shumë klientë në lokalet e tyre pa respektuar aspak oraret deri kur mund të qëndrojnë hapur.

Policia duket se ka vendosur të pranojë oraret e vona të transmetimit të ndeshjeve e bashkë me të po përpiqen të mirëkuptojnë edhe banorët, por tashmë prej disa ditësh lokalet nuk mbyllen me përfundimin e ndeshjes, por qëndrojnë hapur deri në mëngjes.

“Po luajmë nga mendja. Zgjuar deri në orën 02:00. Nuk e di se çfarë do të bëhet. Kemi telefonuar policinë, e cila ka ardhur, por pas largimit të saj zhurma rifillon”, tha një nga banoret e Tiranës.

“Është shumë problem, sidomos për ne që jemi familjarë. Ndeshjet e orës 00:00 janë më shqetësueset, nuk ka lagje në Tiranë që nuk ka ekrane për të shikuar edhe ndeshjet e orëve të vona”, u shpreh një tjetër banor.

Gjatë Kampionatit Botëror  ka ndeshje  që luhen edhe në orë të vona siç ishte ajo e një nate më parë, Itali -Angli, e cila nisi në orën 00:00, por euforia e tifozëve që shijuan këtë ndeshje ka vijuar edhe pas përfundimit te saj. Megjithatë ka të tjerë që nuk i shqetëson aspak tifo, edhe pse në orë të vona .

“Nuk jemi shqetësuar, pasi e kemi ndjekur edhe vetë ndeshjen. Ata që janë dashamirës të futbollit sakrifikojnë”, shprehen banorët .

Ajo që duhet të jetë më racionale në këtë mes është policia bashkiake dhe ajo e rendit, të cilët duhet të zbatojnë ligjin. Ose së paku siç shprehen disa banore, lokalet të mbyllen pas përfundimit të ndeshjeve dhe jo të presin ditën e re pa mundur të flenë nga zhurmat.

Top Channel